Një nga parqet më modernë të energjisë eolike në Ukrainë, i dëmtuar nga sulmet ruse, ka marrë tre krahë të rinj për turbinat e veta përmes Fondit për Mbështetje të Energjisë së Ukrainës, i administruar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë. Komponentët janë blerë, dërguar dhe instaluar për një vlerë prej 3.23 milionë eurosh, me mbështetje nga Bashkimi Europian dhe Danimarka.
Ky investim është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për rindërtimin e sistemit energjetik të Ukrainës dhe për ta bërë atë më rezistent, të decentralizuar dhe me burime më të gjelbra. Sekretariati i Komunitetit të Energjisë raporton se Fondi ka kontraktuar më shumë se 800 furnizime që përfshijnë pajisje energjetike, përmes fondeve prej 682 milionë eurosh, në 21 rajone të Ukrainës.
Ministri danez për Klimën, Energjinë dhe Shërbimet, Lars Aagaard, duke komentuar projektin, theksoi se rikonstruktimi i turbinave nuk është vetëm rikthim i rrjetit, por gjithashtu një veprim simbolik që ndihmon në forcimin e stabilitetit të Ukrainës dhe të Evropës, duke u mbështetur në partneritet të vazhdueshëm.
Nga ana e saj, Ministria e Energjisë së Ukrainës përmendi se energjia e erës ka një rol kritik në tranzicionin drejt energjisë së pastër dhe për forcimin e pavarësisë energjetike të vendit. Për këtë, pajisjet e rinovuara do të kontribuojnë në rritjen e kapacitetit dhe për një përqindje më të madhe të energjisë së gjelbër në miksin energjetik.
Megjithatë, me ardhjen e dimrit 2025/2026, mbetet sfidë të plotësohen kërkesat për fonde shtesë, pasi diferenca ndërmjet kërkesës për mbështetje dhe fondeve aktuale vlerësohet të jetë mbi 500 milionë euro. Sekretariati bën apel që më shumë partnerë dhe donatorë të bashkohen në Fond për të përballuar nevojat emergjente.