Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, ka deklaruar se Bjellorusia ka propozuar ndërtimin e një centrali bërthamor në lindje të vendit, i cili mund të furnizojë me energji elektrike zonat e Ukrainës që kontrollohen nga Rusia.
Ai e prezantoi këtë ide gjatë një takimi me presidentin rus, Vladimir Putin, në Kremlin, Moskë, raporton Reuters.
“Nëse merret një vendim, ne do të fillojmë menjëherë ndërtimin e një njësie të re energjetike ose të një centrali të ri, nëse ka nevojë për energji në pjesën perëndimore të Rusisë dhe në rajonet e çliruara”, tha Lukashenko.
Ky propozim tregon edhe një herë marrëdhënien e ngushtë mes Putinit dhe Lukashenkos, megjithëse presidenti amerikan Donald Trump po përpiqet ta afrojë Bjellorusinë drejt Perëndimit, duke ofruar stimuj në këmbim të lirimit të të burgosurve politikë dhe përmirësimit të marrëdhënieve me SHBA-në.
“Financimi nuk është fare problem. Nëse ka një konsumator që përdor energjinë dhe paguan tarifën e duhur, atëherë nuk ka asnjë pengesë”, u shpreh Putini.
Bjellorusia mbetet aleate e ngushtë e Rusisë dhe ka mbështetur luftën e saj në Ukrainë, përfshirë lejen që i ka dhënë ushtrisë ruse për të hyrë në Ukrainë përmes territorit bjellorus që në vitin 2022.