Home / Lajme / Energjia e ripërtëritshme / Diskutimi për energjinë diellore në Kosovë thekson nevojën për politika më të qarta dhe koordinim institucional

Diskutimi për energjinë diellore në Kosovë thekson nevojën për politika më të qarta dhe koordinim institucional

Në kuadër të Kosova Energy Forum & Green Business Expo 2025, u zhvillua paneli me temën “Powering Kosovo with the Sun: Policies for a Renewable Future”, i cili mbledhi ekspertë të fushës së energjisë diellore. Panelistë si Mustafë Borovci, Trim Tërnava dhe Afrim Syla, nën moderimin e Flutur Mustafa Pllana, diskutuan sfidat dhe mundësitë që ka sektori solar në Kosovë.

Gjatë diskutimit, u evidentuan mangësitë e politikave zhvillimore për energjinë rinovueshme, të cilat shpesh pengojnë investimet dhe zhvillimin e bizneseve në sektorin diellor.

Panelistët dhe pjesëmarrësit ranë dakord se është e domosdoshme të forcohet koordinimi ndërinstitucional, të vendoset një hierarki e qartë përgjegjësish, si dhe të përmirësohet komunikimi horizontal përtej atij vertikal.

Një tjetër çështje e rëndësishme e ngritur ishte reduktimi i burokracisë së tepërt, që shpesh përbën pengesë për kompanitë e energjisë së rinovueshme.

Pjesëmarrësit theksuan se ofrimi i lehtësirave dhe mbështetjes për zhvillimin e sektorit solar është i nevojshëm për të nxitur investimet dhe për të siguruar një të ardhme energjetike më të qëndrueshme për Kosovën.