Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në një diskutim të organizuar nga Hudson Institute në New York, me temë “Partneriteti në rritje Kosovë – SHBA në mbrojtje dhe zhvillim”. Në tryezë morën pjesë Presidenti dhe Drejtori Ekzekutiv i Hudson Institute, John Walters, si dhe hulumtues nga qendrat për Evropë dhe Euroazi dhe për Paqe e Siguri në Lindjen e Mesme.
Hudson Institute, i themeluar në vitin 1961 nga Herman Kahn, zhvillon analiza strategjike në fusha kyçe si mbrojtja, ekonomia, energjia, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe teknologjia, duke ofruar rekomandime për politikëbërës dhe liderë institucionalë.
Në fjalën e tij, Kurti theksoi se partneriteti mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është i ndërtuar mbi tri shtylla – diplomacinë, mbrojtjen dhe zhvillimin – dhe se ky bashkëpunim është i pandashëm nga siguria energjetike. Ai rikujtoi ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, duke e cilësuar atë si momentin që i hapi Kosovës rrugën drejt lirisë.
Kryeministri në detyrë përmendi se Forca e Sigurisë së Kosovës ka trajnuar mbi një mijë pjesëtarë në programe amerikane, ndërsa shpenzimet për mbrojtjen janë katërfishuar gjatë mandatit të tij, duke përfshirë sisteme të reja si Javelin, UAV dhe pajisje moderne. Diskutimet për blerjen e helikopterëve Black Hawk janë në proces, ndërsa Kosova tashmë ka nënshkruar marrëveshje të rëndësishme për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe CISMOA-n.
Megjithatë, një pjesë e theksuar e fjalës iu kushtua zhvillimit dhe energjisë. Kurti nënvizoi se qeveria ka ulur në zero tarifat doganore për produktet e SHBA-së, duke hapur rrugën për më shumë investime amerikane. Ai veçoi Programin Kompakt të Millennium Challenge Corporation, me vlerë mbi 200 milionë dollarë, i cili synon të modernizojë sektorin energjetik të Kosovës përmes ruajtjes së energjisë me bateri, reduktimit të importeve dhe integrimit të burimeve të ripërtëritshme.
Një tjetër zhvillim energjetik që Kurti theksoi ishte modernizimi i njësisë së parë të termocentralit “Kosova B” nga kompania amerikane General Electric, me punimet për njësinë tjetër të planifikuara për vitin e ardhshëm. Sipas tij, kjo nuk është vetëm politikë zhvillimi, por edhe politikë sigurie energjetike.
Kurti foli edhe për kontekstin rajonal, duke paralajmëruar për rreziqet nga përçarjet që shfrytëzohen nga Rusia dhe Serbia. Ai theksoi se Kosova është një vijë e parë mbrojtëse kundër ndikimeve destabilizuese në Ballkan, falë institucioneve të saj rezistente, pranisë së KFOR-it dhe partneritetit të ngushtë me SHBA-në.
“Kosova nuk është vetëm përfituese e mbështetjes së SHBA-së dhe NATO-s, por edhe kontribuuese e sigurisë dhe një partnere zhvillimi. Partneriteti ynë është parimor dhe pragmatik – nga mbrojtja e përbashkët, deri te ndërtimi i qëndrueshmërisë energjetike,” u shpreh Kurti.