Është realizuar progres i konsiderueshëm në reduktimin e shkarkimeve të gazeve me efekt serrë dhe në ndotjen e ajrit, por gjendja e përgjithshme e mjedisit në Evropë nuk është e mirë, veçanërisht në lidhje me natyrën e saj, e cila vazhdon të përballet me degradim, shfrytëzim të tepruar dhe humbje të biodiversitetit.
Ndikimet e përshpejtimit të ndryshimeve klimatike përbëjnë gjithashtu një sfidë urgjente, sipas raportit më gjithëpërfshirës të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA) “mbi gjendjen e mjedisit”, të publikuar sot. Perspektiva për shumicën e tendencave mjedisore është shqetësuese dhe paraqet rreziqe të mëdha për prosperitetin ekonomik, sigurinë dhe cilësinë e jetës në Evropë.
Raporti thekson se ndryshimet klimatike dhe degradimi mjedisor përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për konkurrueshmërinë e Evropës, e cila varet nga burimet natyrore. Ai shton se arritja e neutralitetit klimatik brenda vitit 2050 varet gjithashtu nga një menaxhim më i mirë dhe i përgjegjshëm i tokës, ujit dhe burimeve të tjera. Mbrojtja e burimeve natyrore, zbutja dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike, si dhe reduktimi i ndotjes do të forcojnë qëndrueshmërinë e funksioneve thelbësore shoqërore që varen nga natyra, të tilla si siguria ushqimore, uji i pastër dhe mbrojtja nga përmbytjet.
Raporti bën thirrje për intensifikimin e zbatimit të politikave dhe veprimeve që mbështesin qëndrueshmërinë afatgjatë, të dakordësuara ndërkohë në Marrëveshjen e Gjelbër Evropian. Këto veprime janë në përputhje me prioritetet e Busullës së Konkurrueshmërisë të Komisionit Evropian në lidhje me novacionin, dekarbonizimin dhe sigurinë.
Raporti për mjedisin në Evropë 2025 është analiza më gjithëpërfshirëse e gjendjes aktuale dhe perspektivave për mjedisin, klimën dhe qëndrueshmërinë e kontinentit, bazuar në të dhëna nga 38 vende. Raporti thekson se Bashkimi Evropian është lider botëror për përpjekjet në lidhje me klimën, duke reduktuar shkarkimet e gazeve me efekt serrë dhe përdorimin e lëndëve djegëse fosile, ndërkohë që ka dyfishuar përqindjen e burimeve të ripërtëritshme që nga viti 2005. Progres i konsiderueshëm është bërë gjithashtu në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe rritjen e riciklimit të mbetjeve dhe efikasitetit të burimeve gjatë 10-15 viteve të fundit. Progresi në një sërë faktorësh që mundësojnë kalimin drejt qëndrueshmërisë – siç janë novacioni, punësimi në vende pune ekologjike dhe financat e qëndrueshme – është gjithashtu shpresëdhënës.
Zëvendëspresidentja Ekzekutive për Tranzicion të Pastër, të Drejtë dhe Konkurrues, Teresa Ribera, deklaroi: “Ky raport është një rikujtesë e fortë se Evropa duhet të vazhdojë përpjekjet me të njëjtin ritëm dhe madje të përshpejtojë ambiciet tona për klimën dhe mjedisin. Ngjarjet ekstreme të motit të kohëve të fundit tregojnë se sa të brishta bëhen prosperiteti dhe siguria jonë kur natyra degradohet dhe ndikimet klimatike intensifikohen. Të vonuarit ose të shtyrët e objektivave tona klimatike vetëm sa do të rriste kostot, do të thellonte pabarazitë dhe do të zvetënonte qëndrueshmërinë tonë. Mbrojtja e natyrës nuk ka çmim. Është një investim në konkurrueshmërinë, qëndrueshmërinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Nëse i intensifikojmë veprimet tona tani, mund të ndërtojmë një Evropë më të pastër, më të drejtë dhe më të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.”
Komisionerja për Mjedisin, Qëndrueshmërinë e Ujit dhe Ekonominë Qarkulluese Konkurruese të Bashkimit Evropian, Jessika Roswall, tha: “Ndërkohë që është bërë progres, gjendja e mjedisit tonë është një thirrje e qartë për veprim për të vazhduar me reduktimin e ndotjes, rikuperimin e natyrës dhe mbrojtjen e biodiversitetit. Duhet ta rishqyrtojmë lidhjen midis mjedisit dhe ekonomisë dhe ta konsiderojmë mbrojtjen e natyrës si një investim, jo si një kosto. Një natyrë e shëndetshme është themeli i një shoqërie të shëndetshme, një ekonomie konkurruese dhe një bote të qëndrueshme. Për këtë arsye, BE-ja është e angazhuar të vazhdojë përpjekjet me të njëjtin ritëm në lidhje me angazhimet tona mjedisore.”
Komisioneri për Klimën, Emetimet Zero Neto dhe Rritjen e Pastër, Wopke Hoekstra, tha: “Ky raport përforcon nevojën urgjente që BE-ja të vazhdojë me ambiciet e saj të forta për klimën. Evropa, kontinenti që po ngrohet më shpejt, ka qenë dëshmitare e drejtpërdrejtë e ndikimit shkatërrues të ndryshimeve klimatike, së fundmi nëpërmjet zjarreve të rënda që u përhapën vrullshëm këtë verë. Kostot e mosveprimit janë të mëdha, dhe ndryshimet klimatike përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për konkurrueshmërinë tonë. Vazhdimi i përpjekjeve me të njëjtin ritëm është thelbësor për të mbrojtur ekonominë tonë.”
Drejtoresha Ekzekutive e EEA-së Leena Ylä-Mononen, deklaroi: “Ne nuk mund të ulim ambiciet tona për klimën, mjedisin dhe qëndrueshmërinë. Raporti ynë për gjendjen e mjedisit, i hartuar së bashku me 38 vende, përcakton qartë njohuritë e bazuara në shkencë dhe tregon se përse duhet të veprojmë. Në Bashkimin Evropian, ne kemi politikat, mjetet dhe njohuritë, si dhe dekada përvojë pune të përbashkët për të arritur qëllimet tona të qëndrueshmërisë. Ajo çka bëjmë sot, do të formësojë të ardhmen tonë.”
Sfidat komplekse të së ardhmes
Biodiversiteti po zvogëlohet në ekosistemet tokësore, të ujërave të ëmbla dhe detare të Evropës për shkak të presioneve të vazhdueshme të shkaktuara nga modelet e paqëndrueshme të prodhimit dhe konsumit, të vërejtura veçanërisht në sistemin ushqimor. Në lidhje me të ardhmen, përkeqësimi i gjendjes së biodiversitetit dhe ekosistemeve të Evropës pritet të vazhdojë, ndërsa objektivat e dakordësuara të politikave nuk kanë gjasa të përmbushen brenda vitit 2030, thuhet në raport.
Kësisoj, burimet ujore të Evropës janë nën një presion të madh, pasi mungesa e ujit prek një të tretën e popullsisë dhe territorit të Evropës. Ruajtja e ekosistemeve ujore të shëndetshme, mbrojtja e pellgjeve ujëmbledhëse dhe sigurimi i rimbushjes së burimeve të ujërave nëntokësore është thelbësor për të siguruar qëndrueshmërinë e ardhshme të Evropës në lidhje me ujin, thuhet në raport.
Sa i përket ndryshimeve klimatike, Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në planet. Klima po ndryshon me një shpejtësi alarmante, duke kërcënuar sigurinë, shëndetin publik, ekosistemet, infrastrukturën dhe ekonominë. Shpeshtësia dhe shkalla në rritje e fatkeqësive që lidhen me klimën, si dhe informacioni se klima do të vazhdojë të ndryshojë pavarësisht përpjekjeve ambicioze të BE-së për zbutjen e saj, nënvizojnë nevojën urgjente për të përshtatur shoqërinë dhe ekonominë evropiane, duke u siguruar njëkohësisht që askush të mos lihet pas.
Këto sfida të mëdha kërkojnë një rishqyrtim të lidhjeve midis ekonomisë sonë dhe mjedisit natyror, tokës, ujit dhe burimeve natyrore, vëren raporti. Vetëm duke rikuperuar mjedisin natyror në Evropë do të mund të ruhet një ekonomi konkurruese dhe një cilësi e lartë jetese për qytetarët evropianë.
Përshkallëzimi dhe intensifikimi
Në raport thuhet se ndryshimi transformues në sistemet e prodhimit dhe konsumit – dekarbonizimi i ekonomisë, kalimi drejt qarkullueshmërisë, reduktimi i ndotjes dhe menaxhimi i përgjegjshëm i burimeve natyrore – është urgjentisht i nevojshëm. Politikat e BE-së, duke përfshirë Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, ofrojnë një rrugë të qartë drejt qëndrueshmërisë.
Raporti thekson në mënyrë specifike përpjekjet për të rikuperuar habitatet përmes zgjidhjeve të bazuara në natyrë, të cilat do të zhvillojnë qëndrueshmërinë dhe gjithashtu do të kontribuojnë në përpjekjet për zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Ai gjithashtu thekson nevojën për dekarbonizimin e sektorëve kryesorë ekonomikë, veçanërisht të transportit, si dhe adresimin e shkarkimeve nga sektori bujqësor. Rritja e qarkullueshmërisë ka potencialin të reduktojë varësinë e Evropës nga importet e energjisë dhe lëndëve të para kritike. Për më tepër, duke investuar në tranzicionin dixhital dhe të gjelbër të industrisë evropiane, Evropa mund të përmirësojë produktivitetin dhe të bëhet një lider botëror në novacionin e gjelbër, duke zhvilluar teknologji për të dekarbonizuar industritë e vështira në këtë aspekt, siç janë industria e çelikut dhe çimentos.
Kosova në Raportin Mjedisi i Evropës 2025
Kosova është në një pikë kthese drejt qëndrueshmërisë mjedisore. Ka bërë hapa përpara në energjinë e rinovueshme, ekonominë qarkore dhe bujqësinë e qëndrueshme, megjithatë mbeten sfida si varfëria energjetike, varësia nga lëndët djegëse fosile, menaxhimi i mbetjeve dhe fragmentimi i tokës. Pyjet janë një burim i rëndësishëm i thithjes së karbonit, ndërkohe që kontributit i bujqësis në ndotje dhe emetime mbetet ende i ndjeshëm.
Tranzicioni energjetik po përparon me investime në energjinë e diellit dhe atë të erës, si dhe me zbatimin e efiçiencës së energjisë të mbështetur nga fondet e BE dhe nga programet nacionale. Reformat në transport synojnë udhëtime më të gjelbra, ndërsa ekonomia qarkore, edhe pse në hapat e parë, po hapet përmes strategjive dhe inovacionit. Ndërgjegjësimi publik dhe përafrimi me politikat e BE-së e mbështesin këtë proces, por për të arritur objektivat klimatike e për të mbrojtur biodiversitetin, nevojitet shkallëzim i veprimeve në të gjithë sektorët.
Afrim Berisha, Ushtrues detyre i drejtorit ekzekutiv të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës deklaron se: “Ky raport prezanton përpjekjet e Kosovës dhe institucioneve të saj për të arritur objektivat që ndërlidhen me mjedisin dhe klimën dhe për të forcuar zbatimin e politikave përkatëse, por gjithashtu synon që të sygjerojë reformat e nevojshme për arritjen e qendrueshmërisë mjedisore”.
Historiku
EEA-ja publikon një raport mbi gjendjen e mjedisit çdo pesë vjet, siç parashikohet në rregulloren e saj. Mjedisi në Evropë 2025 është raporti i 7-të i këtillë, i publikuar nga EEA-ja që nga viti 1995. Ai ofron informacione të besueshme dhe të bazuara në shkencë se si duhet t’u përgjigjemi sfidave të mëdha dhe komplekse me të cilat përballemi, siç janë ndryshimi i klimës, humbja e biodiversitetit dhe ndotja e ajrit dhe ujit. Raporti është përgatitur në bashkëpunim të ngushtë me Rrjetin Evropian të Informacionit dhe Vëzhgimit Mjedisor (Eionet) të EEA-së. Raporti bazohet në përvojën e gjerë të ekspertëve dhe shkencëtarëve kryesorë mjedisorë të Eionet në 32 vendet anëtare të EEA-së dhe gjashtë vendet bashkëpunuese.