Home / Lajme / Rajoni / Shqipëria arriti 106% të prodhimit energjetik nga burimet e ripërtëritshme në vitin 2023

Shqipëria arriti 106% të prodhimit energjetik nga burimet e ripërtëritshme në vitin 2023

Shqipëria vijon të paraqitet si një ndër liderët evropianë në përdorimin e energjisë nga burime të ripërtëritshme, duke arritur rreth 47% të prodhimit të përgjithshëm energjetik si energji e ripërtëritshme gjatë vitit 2023, sipas të dhënave të Eurostat. Ky nivel e vendos vendin në të njëjtin rang me Norvegjinë, e para në Evropë dhe me shtete të tjera të BE-së si Suedia, Finlanda apo Danimarka.

Ky pozicion e bën vendin një nga shembujt më të suksesshëm në rajon dhe në kontinent për shfrytëzimin e burimeve të pastra.

Në krahasim me fqinjët ballkanikë, diferenca është edhe më e dukshme: Maqedonia e Veriut dhe Kosova prodhojnë më pak se 20% të energjisë nga burime të rinovueshme, ndërsa Mali i Zi arrin rreth 40% dhe Serbia rreth 25%.

Ndërkohë, disa prej ekonomive më të mëdha të Europës si Gjermania, Franca dhe Italia ndodhen në nivelin 20–25%, ndërsa Belgjika dhe Luksemburgu nuk arrijnë as 15%.

Avantazhi i Shqipërisë vjen kryesisht nga shfrytëzimi i pasurive ujore për hidrocentrale, duke e pozicionuar vendin si një kampion rajonal dhe evropian në tranzicionin e gjelbër, me një bazë të fortë për të përmbushur objektivat e energjisë së pastër deri në vitin 2030.

Suedia renditet e para mes vendeve të BE-së, me dy të tretat (66.4%) të konsumit final bruto të energjisë të siguruar nga burime të rinovueshme në vitin 2023. Suedia mbështetej kryesisht te biokarburantet e ngurta, hidroenergjetika dhe era. Finlanda pasoi me 50.8%, duke u mbështetur gjithashtu te biokarburantet e ngurta, era dhe hidroenergjetika, ndërsa Danimarka doli e treta me 44.9%, me përqindjen më të madhe të energjisë së rinovueshme të siguruar nga biokarburantet e ngurta dhe era. Përqindjet më të ulëta të energjisë së rinovueshme u regjistruan në Luksemburg (11.6%), Belgjikë (14.7%) dhe Maltë (15.1%).

Ndër vendet e BE-së, më shumë se 75% e energjisë elektrike të konsumuar në vitin 2023 u gjenerua nga burime të rinovueshme në Austri (87.8%), Suedi (87.5%) dhe Danimarkë (79.4%). Konsumi i energjisë elektrike nga burime të rinovueshme ishte gjithashtu i lartë në Portugali (63.0%), Kroaci (58.8%), Spanjë (56.9%), Letoni (54.3%) dhe Finlandë (52.4%), duke përbërë më shumë se gjysmën e konsumit total.

Në anën tjetër të shkallës, përqindja e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme ishte më pak se 20% në Maltë (10.7%), Çeki (16.4%), Luksemburg (18.0%) dhe Hungari (19.5%).

Ndërkohë Norvegjia dhe Shqipëria, prodhuan më shumë energji elektrike nga burimet e rinovueshme sesa konsumi total i energjisë elektrike në vitin 2023, duke rezultuar kështu në një përqindje mbi 100%. Për Shqipërinë kjo shifër arriti në rreth 106%.