Home / Lajme / Kosova / ZRRE kryeson takimin rajonal të rregullatorëve të energjisë në Athinë

ZRRE kryeson takimin rajonal të rregullatorëve të energjisë në Athinë

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu, në cilësinë e Presidentit të Bordit Rregullativ të Komunitetit të Energjisë (ECRB), ka udhëhequr sot takimin e 62-të të këtij institucioni në Athinë. Në punimet e takimit mori pjesë edhe anëtari i Bordit të ZRRE-së, Gani Buçaj.

Takimi mblodhi rregullatorë të energjisë nga vendet kontraktuese dhe palët pjesëmarrëse të Komunitetit të Energjisë, duke u shndërruar në një forum të rëndësishëm për shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e sfidave kyçe të sektorit.

Pjesë e agjendës ishin zhvillimet e fundit rregullative, reformat e tregut dhe procesi i integrimit rajonal. Një rëndësi e veçantë iu kushtua mekanizmave rajonalë për menaxhimin e kapaciteteve të transmetimit – një element thelbësor për sigurinë e furnizimit dhe rritjen e efikasitetit të tregut të energjisë elektrike.

Përveç sesioneve plenare, u zhvilluan edhe diskutime brenda grupeve punuese të ECRB-së, përfshirë ato për Konsumatorët dhe Tregjet me Pakicë, për Energjinë Elektrike, për Gazin si dhe për zbatimin e rregullores REMIT. Këto grupe ofruan pasqyrë mbi sfidat dhe arritjet në secilin sektor, duke nxitur një qasje gjithëpërfshirëse për ndërtimin e një tregu funksional dhe të qëndrueshëm.

Në fjalën e tij, Fejzullahu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, duke e cilësuar atë si parakusht për krijimin e një tregu energjetik transparent, konkurrues dhe të integruar. Ai shtoi se përfshirja aktive e rregullatorëve në proceset rajonale është kyçe për përafrimin me standardet evropiane dhe për sigurimin e përfitimeve të drejtpërdrejta për konsumatorët.