Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i ofrojnë Ukrainës informacione të inteligjences për caqet e largëta të infrastrukturës energjetike brenda territorit të Rusisë, kanë bërë të ditur për Reuters dy zyrtarë, derisa Uashington po peshon edhe mundësinë e dërgimit e raketave Kievit që të mund t’i qëllojë këto caqe.
SHBA-ja po kërkon gjithashtu nga aleatët e NATO-s që të ofrojnë përkrahje të ngjashme, kanë thënë zyrtarët amerikanë, duke konfirmuar hollësitë të publikuar për herë të parë në “Wall Street Journal”.
Vendimi paraqet ndryshimin e parë politik të njohur që presidenti Donald Trump ka bërë pas ashpërsimit të retorikës ndaj Rusisë në javët e fundit në përpjekje që t’i japë fund luftës mbi trevjeçare të Moskës kundrejt Ukrainës fqinje.
Uashingtoni kaherë kë ndarë informacione inteligjence me Kievin, derisa “Wall Street Journal” ka shkruar se kjo do ta bënte më të lehtë për Ukrainën që të qëllojë infrastrukturën thellë brenda territorit rus, si rafineritë, tubacionet dhe termocentralet me synimin që Kremlini të mos mund të sigurojë të hyra prej burimeve energjetike.
Trump u ka bërë presion europianëve që të heqin krejtësisht dorë prej blerjes së naftës ruse në këmbim të një ujdie për të vendosur sanksione ndaj Moskës në përpjekje për të provuar shterjen e burimeve financiare për pushtimin rus të Ukrainës.
As Shtëpia e Bardhë, e as misioni i Ukrainës në OKB nuk u janë përgjigjur kërkesave të Reutersit për komentim. Ngjashëm ka bërë edhe mision rus në OKB.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë kërkesën e Ukrainës për dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, Tomahawk, me qëllim që t’i japë shtytje sprapsjes së pushtuesve rusë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka kërkuar SHBA-së që t’ua shesë raketat Tomahawk shteteve të cilat pastaj do t’ia dërgojnë Ukrainës.
Raketat Tomahawk kanë rreze veprimi prej 2.500 kilometrash, duke futur brenda rrezes së veprimit edhe Moskën, nëse Uashingtoni vendos që këto t’i jepen Kievit. Rusia padyshim se do ta shihte këtë si përshkallëzim të theksuar të luftës së saj në Ukrainë.
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, e ka pranuar javën e kaluar se presidenti Trump po shqyrton kërkesën ukrainase për raketat Tomahawk.