Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha se po zhvillon bisedime me Moskën dhe Kievin për rikthimin e furnizimit me energji elektrike nga rrjeti i jashtëm në centralin bërthamor të Zaporizhias.
Ky central, më i madhi në Evropë, aktualisht mbështetet te gjeneratorët për sistemin e ftohjes, pasi konflikti ka penguar riparimet e nevojshme në linjat e furnizimit me energji.
Drejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi, tha se të dyja palët janë shprehur të gatshme të kryejnë riparimet e nevojshme në anët e tyre të vijës së frontit.
“Por, që kjo të ndodhë, situata e sigurisë në terren duhet të përmirësohet, në mënyrë që teknikët të mund të kryejnë punën e tyre jetike pa rrezikuar jetën”, tha Grossi në një deklaratë.
Ai shtoi se është “në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarë të lartë rusë dhe ukrainas” për të lehtësuar procesin.
Të gjashtë reaktorët e centralit u mbyllën vitin e kaluar për shkak të luftimeve të vazhdueshme, por uzina ka ende nevojë për energji elektrike për të mbajtur funksionet kritike të sigurisë, si ftohjen e reaktorëve.
Linja e fundit e tensionit të lartë që furnizon centralin është jashtë funksionit që nga 23 shtatori, duke e lënë objektin të shkëputur nga rrjeti elektrik prej 10 ditësh, periudha më e gjatë që nga nisja e pushtimit të plotë rus në vitin 2022.
Aktualisht, sistemi i ftohjes mbështetet në gjeneratorë emergjentë me naftë, të cilët, sipas IAEA-së, po funksionojnë pa probleme dhe kanë rezerva të mjaftueshme karburanti.
Megjithatë, agjencia theksoi nevojën për një zgjidhje të menjëhershme në lidhje me sigurinë bërthamore.
Trupat ruse e kanë zaptuar centralin që nga marsi 2022, ndërsa Moska dhe Kievi vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin për bombardimin e zonës.
Vëzhguesit e IAEA-së ndodhen në vendngjarje.