Sot, më 6 tetor 2025, u mbajt Mbledhja e Përgjithshme Vjetore e Aksionarit e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK sh.a.), në prani të Bordit të Drejtorëve, të udhëhequr nga kryesuesi Valdrin Krasniqi, si dhe të menaxhmentit të lartë të korporatës, të prirë nga Kryeshefi Ekzekutiv Gramos Hashani.
Në takim mori pjesë edhe përfaqësuesi i aksionarit, Zëvendësministër në detyrë i Ekonomisë, Getoar Mjeku, me të cilin u prezantuan dhe u shqyrtuan raporti vjetor për vitin 2024, raporti i auditorit të jashtëm mbi pasqyrat financiare dhe raporti i performancës së menaxhmentit për periudhën raportuese.
Gjatë mbledhjes, përfaqësuesi i aksionarit u njoftua nga afër me rezultatet e arritura dhe sfidat me të cilat është përballur korporata gjatë vitit të kaluar. Pavarësisht kushteve të vështira të operimit, KEK sh.a. ka dëshmuar stabilitet, profesionalizëm dhe përkushtim të lartë në sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike për vendin.
Korporata ka realizuar furnizimin me energji elektrike për KESCO, për nevojat e konsumatorëve me shërbim universal, si dhe për KOSTT dhe KEDS, për mbulimin e humbjeve në rrjetet e transmetimit dhe shpërndarjes. Për më tepër, Termokos është furnizuar pa ndërprerje me energji termike gjatë gjithë sezonit dimëror.
Divizioni i Prodhimit të Qymyrit ka arritur të realizojë planin e prodhimit të djerrinës dhe qymyrit, duke siguruar furnizim të pandërprerë për termocentralet Kosova A dhe Kosova B. Gjithashtu, u ritheksua përkushtimi për rritjen e sigurisë dhe efikasitetit në njësitë prodhuese, si dhe për zhvillimin e projekteve kapitale dhe investimeve strategjike, duke përfshirë zhvillimin e kapaciteteve të reja nga burimet e ripërtëritshme të energjisë.
Në përmbyllje, Bordi i Drejtorëve dhe menaxhmenti i KEK sh.a. ritheksuan gatishmërinë për të vazhduar me përkushtim realizimin e objektivave të korporatës dhe misionin strategjik për sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm, të besueshëm dhe ekonomik me energji për qytetarët e Kosovës.