Home / Lajme / Ndërkombëtare / Sekretariati i Komunitetit të Energjisë dënon ashpër sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike në Ukrainë

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë dënon ashpër sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike në Ukrainë

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka dënuar ashpër sulmet e fundit ruse ndaj infrastrukturës kritike të energjisë në Ukrainë, të cilat ndodhën të dielën, më 5 tetor.

Sipas njoftimit, këto sulme janë pjesë e një serie të pandërprerë e të vazhdueshme, që kanë shkaktuar dëme të mëdha në rrjetin energjetik dhe kanë lënë mijëra qytetarë pa energji elektrike.

“Qëndrojmë krah Ukrainës dhe inxhinierëve të energjisë që vazhdojnë të rrezikojnë jetën e tyre për të siguruar funksionimin e sistemit energjetik,” thuhet në reagimin e Sekretariatit.

Me përshkallëzimin e sulmeve dhe kërcënimeve të vazhdueshme, Sekretariati nënvizon se vetëm bashkëpunimi ndërkombëtar dhe përpjekjet e përbashkëta mund të garantojnë qëndrueshmërinë e Ukrainës në sektorin e energjisë.

Në këtë kuadër, institucioni riafirmon përkushtimin e tij për të mobilizuar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e sfidave emergjente dhe në përgjigje ndaj sulmeve të ardhshme përmes Fondit të Mbështetjes së Energjisë së Ukrainës, i cili administrohet nga vetë Sekretariati në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Energjisë së Ukrainës.