Home / Lajme / Kosova / ZRRE merr pjesë në takimin rajonal për integrimin e tregut të energjisë elektrike

ZRRE merr pjesë në takimin rajonal për integrimin e tregut të energjisë elektrike

Më 3 tetor 2025, stafi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) mori pjesë në një takim të rëndësishëm të organizuar nga ECRB Electricity Working Group (EWG), i cili mblodhi përfaqësues të rregullatorëve dhe akterëve kryesorë të tregut të energjisë nga vendet anëtare të Komunitetit të Energjisë dhe Bashkimit Evropian.

Takimi u zhvillua në mënyrë virtuale dhe ofroi një platformë të vlefshme për shkëmbimin e përvojave, identifikimin e sfidave dhe diskutimin e planeve për të ardhmen e integrimit të tregjeve rajonale të energjisë me tregun e brendshëm evropian.

Fokusi kryesor i diskutimeve ishte i orientuar në disa fusha kyçe që ndikojnë drejtpërdrejt procesin e harmonizimit rajonal, përfshirë ristrukturimin e mekanizmave për kalkulimin rajonal të kapaciteteve (Capacity Calculation Regions) dhe përmbushjen e objektivit të 70% të kapaciteteve të alokuara për tregtim ndërkufitar.

Një pjesë e rëndësishme e agjendës iu kushtua edhe rolit të NEMO-ve (Operatorëve të Nominuar të Tregut të Energjisë Elektrike) në procesin e bashkimit të tregut, sidomos pas miratimit të Projektit të Zbatimit të Operatorëve të Bashkimit të Tregut (MCO Implementation Project), i cili përcakton kornizën e bashkëpunimit dhe qeverisjes së përbashkët për tregun e energjisë.

Në takim u trajtuan gjithashtu detyrat dhe përgjegjësitë e NEMO-ve dhe autoriteteve rregullatore në kuadër të modeleve konkurruese dhe monopolistike, si dhe sfidat që paraqiten në përshtatjen e tyre me realitetin rajonal. Për më tepër, u diskutuan prioritetet për rregullatorët e Komunitetit të Energjisë, me vëmendje të veçantë ndaj CCR IT-ME dhe progresit në mekanizmat e kalkulimit të kapaciteteve (CCM) për tregjet ditë-përpara (DAM) dhe brenda-ditës (IDM).

Përfaqësuesit e ZRRE morën pjesë aktive në diskutime, duke ngritur çështje praktike që lidhen me zbatimin e CCR-ve në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ndikimin e tyre në rritjen e transparencës, konkurrencës dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike. Ata theksuan se Kosova po ecën në mënyrë të qëndrueshme drejt integrimit në tregjet evropiane të energjisë, duke shënuar progres të prekshëm në përafrimin institucional dhe teknik.

Në përfundim, u nënvizua se transpozimi i plotë i legjislacionit evropian në atë vendor mbetet një ndër prioritetet kryesore për Kosovën, pasi vetëm përmes harmonizimit të kornizës ligjore dhe rregullatore mund të sigurohet një pjesëmarrje e barabartë dhe efektive në tregjet e integruara evropiane të energjisë.