Një analizë e re tregon se prodhimi global nga energjia diellore dhe ajo e erës ka tejkaluar kërkesën për energji elektrike këtë vit. Për herë të parë në histori, burimet e ripërtëritshme të kombinuara kanë prodhuar më shumë energji sesa qymyri, duke shënuar një pikë kthese të rëndësishme në tranzicionin energjetik global.
Sipas raportit të fundit nga grupi i ekspertëve të energjisë Ember, prodhimi global nga energjia diellore është rritur me 31 për qind në gjysmën e parë të vitit, ndërsa ai nga era me 7.7 për qind. Kjo rritje përbën mbi 400 teravat orë energji shtesë – më shumë se rritja e përgjithshme e kërkesës botërore për energji në të njëjtën periudhë.
Raporti sugjeron se me investime të vazhdueshme në burime të ripërtëritshme – si energjia diellore, e erës, hidroenergjetike, bioenergjetike dhe gjeotermale – bota mund të përmbushë rritjen e kërkesës për energji pa mbështetur më burime ndotëse.
“Kjo tregon se burimet e ripërtëritshme mund të ecin përpara në hap me oreksin gjithnjë në rritje për energji elektrike,” tha Małgorzata Wiatros-Motyka, analiste e lartë në Ember dhe autore e raportit.
Në të njëjtën kohë, prodhimi global nga lëndët djegëse fosile ra lehtë – më pak se 1 për qind. “Rënia mund të duket e vogël, por është domethënëse. Po shohim shenjat e para të uljes së emetimeve globale,” shtoi Wiatros-Motyka.
Në Bashkimin Evropian, energjia diellore u bë për herë të parë burimi kryesor i energjisë elektrike në muajin qershor. Ember ka analizuar të dhënat mujore nga 88 vende që përfaqësojnë pjesën dërrmuese të kërkesës botërore për energji.
Sipas raportit, rritja e kërkesës globale për energji elektrike po nxitet nga zgjerimi ekonomik, automjetet elektrike, qendrat e të dhënave, rritja e popullsisë në vendet në zhvillim dhe nevoja për ftohje në klimën gjithnjë e më të nxehtë. Megjithatë, përmbushja e kësaj kërkese përmes djegies së qymyrit dhe gazit çliron gazra serrë, si dioksidi i karbonit dhe metani, që përshpejtojnë ngrohjen globale dhe intensifikojnë fenomenet ekstreme klimatike.
Raporti i Ember analizon gjithashtu katër tregjet kryesore të energjisë – Kinën, Indinë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara – të cilat së bashku përbëjnë gati dy të tretat e prodhimit dhe emetimeve globale të energjisë.
Në Kinë, prodhimi nga energjia e erës dhe diellit u rrit më shumë sesa në pjesën tjetër të botës së bashku, ndërsa përdorimi i lëndëve fosile ra me 2 për qind. Edhe India shënoi një rekord të ri në prodhimin e energjisë së ripërtëritshme, duke tejkaluar rritjen e kërkesës dhe duke reduktuar ndjeshëm përdorimin e karburanteve fosile. Si pasojë, në të dy vendet, emetimet ranë.
“Shpesh thuhet se energjia e ripërtëritshme nuk çon realisht në ulje të përdorimit të fosileve, por ky raport tregon të kundërtën,” theksoi Michael Gerrard nga Universiteti i Kolumbias.
Në SHBA, megjithatë, rritja e kërkesës për energji ka tejkaluar rritjen e prodhimit të energjisë së pastër. Në BE, mungesa e erës dhe reshjeve ka ngadalësuar prodhimin hidroenergjetik, duke çuar në përdorim më të lartë të qymyrit dhe gazit.
Sipas raportit, tregu amerikan i energjisë së pastër po përballet me pengesa për shkak të politikave të reja federale që favorizojnë prodhimin e qymyrit, naftës dhe gazit. Shumë programe mbështetëse për projektet e energjisë së pastër janë ndërprerë, ndërsa industritë ndotëse kanë marrë lehtësime rregullatore dhe fonde shtesë.
Megjithatë, ekspertët mbeten të kujdesshëm optimistë. “Burimet e ripërtëritshme ende kanë potencial të madh për të zëvendësuar lëndët fosile, edhe nëse kërkesa rritet,” tha Amanda Smith nga organizata kërkimore Project Drawdown. “Jam më optimiste për zhvillimin global, ku tranzicioni po ecën me ritme shumë më të forta.”