Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, do të organizojë më 10 tetor 2025, në ora 10:00, një sesion informues për Skemën e Granteve për Energji të Pastër. Ngjarja do të mbahet në Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, pranë Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës.
Skema, me vlerë 1 milion euro, është financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe agjencinë e zhvillimit LuxDev. Qëllimi i saj është të mbështesë ndërmarrjet vendore në tranzicionin energjetik, përmes investimeve që rrisin efiçiencën e energjisë, përdorimin e burimeve të ripërtëritshme dhe reduktojnë kostot e operimit.
Në kuadër të kësaj skeme, Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme, si dhe kompanitë që veprojnë në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike, mund të aplikojnë për bashkëfinancim të projekteve që përfshijnë gjenerimin e energjisë diellore, ruajtjen e energjisë përmes baterive, përmirësimin e performancës energjetike në ndërtesat e bizneseve dhe modernizimin e pajisjeve që reduktojnë konsumin e energjisë në linjat e prodhimit.
Sipas KIESA-s, sesioni informues ka për qëllim të udhëzojë bizneset rreth procedurave të aplikimit, kritereve të përzgjedhjes dhe kushteve të bashkëfinancimit. Me këtë nismë, institucionet synojnë të rrisin pjesëmarrjen e sektorit privat në zhvillimin e qëndrueshëm energjetik të vendit.