Home / Lajme / Rajoni / Kroacia shpreh gatishmëri për të blerë NIS-in nëse kjo do të ishte zgjidhje

Kroacia shpreh gatishmëri për të blerë NIS-in nëse kjo do të ishte zgjidhje

Ministri kroat i ekonomisë, Ante Šušnjar, deklaroi sot se Kroacia është e gatshme të blejë Kompaninë e Naftës së Serbisë (NIS), nëse një veprim i tillë do të ndihmonte në zgjidhjen e situatës së krijuar pas sanksioneve të Shteteve të Bashkuara ndaj NIS-it, për shkak të pronësisë së saj nga kompania shtetërore ruse Gazprom.

“Dora jonë është e shtrirë — nëse kjo është zgjidhja, jemi të gatshëm edhe për këtë opsion,” tha Šušnjar për mediat, duke komentuar vendimin amerikan. Ai theksoi se një marrëveshje e tillë do të siguronte kontinuitetin e bashkëpunimit dhe interesat afatgjata të kompanisë Jadranski Naftovod (JANAF), e cila prej më shumë se 40 vjetësh është e lidhur ngushtë me NIS-in.

Sipas ministrit, qëllimi nuk do të ishte hyrja në tregun me pakicë të derivateve në Serbi, por ruajtja e stabilitetit të furnizimit me naftë në rajon. “Një zgjidhje e tillë do ta lehtësonte situatën si për ne, ashtu edhe për Serbinë,” shtoi ai.

Šušnjar tha gjithashtu se rreth 20 për qind e tregut të derivateve në Bosnjë e Hercegovinë furnizohet aktualisht nga rafineria e Pançevës, ndërsa përfundimi i modernizimit të rafinerisë së Rijekës, i planifikuar për fundin e muajit tetor, do të rrisë kapacitetet kroate të përpunimit të naftës. Sipas tij, kjo do t’i mundësonte Kroacisë të ndihmojë me furnizim Bosnjën e Hercegovinën dhe pjesërisht edhe Serbinë.

Ministri kroat hodhi poshtë shqetësimet se sanksionet ndaj NIS mund të ndikojnë në negociatat mes Kroacisë dhe kompanisë MOL për furnizimin e Hungarisë dhe Sllovakisë me naftë. Ai shtoi se Kroacia është e gatshme të furnizojë Maqedoninë, Sllovakinë dhe Serbinë me sasi të mjaftueshme, “kur rrethanat dhe zhvillimet gjeopolitike ta lejojnë.”