Home / Lajme / Rajoni / Miratohet ndërtimi i parkut fotovoltaik në Fier, investim 1.2 milionë euro

Miratohet ndërtimi i parkut fotovoltaik në Fier, investim 1.2 milionë euro

Këshilli Kombëtar i Territorit në Shqipëri ka miratuar ndërtimin e një parku fotovoltaik në Njësinë Administrative Topojë, në Bashkinë e Fierit. Investimi do të realizohet nga kompania “SLR Albania”, në pronësi të Ledian Ruçit, djalit të ish-kryeparlamentarit Gramoz Ruçi.

Firma ka përfituar me qira një sipërfaqe prej 50 mijë metrash katrorë toke nga Bashkia e Fierit për këtë projekt, i cili ka një vlerë investimi prej rreth 1.2 milionë euro.

Parku do të ketë kapacitet prodhues prej 2 megavatësh dhe do të prodhojë rreth 3,119 MWh energji elektrike në vit. Për realizimin e tij do të instalohen 3978 module fotovoltaike monokristaline bifaciale dhe 10 invertera të markës Huawei.

Struktura e paneleve do të ketë lartësi maksimale 2.27 metra, ndërsa kabina elektrike do të jetë me lartësi 3.8 metra dhe do të jetë e lëvizshme.

Lidhja me rrjetin elektroenergjetik do të bëhet përmes një linje nën tokë me gjatësi 100 metra që do të lidhë centralin me nënstacionin ekzistues “Hoxhara e Re”. Për mirëfunksionimin e impiantit do të ndërtohen rrugë ndihmëse me shtresë çakulli, duke përdorur rrugët ekzistuese kufitare të parcelave si bazë.

Ky projekt synon të përdorë burimet e rinovueshme të energjisë dhe të kontribuojë në reduktimin e emetimeve të gazrave që dëmtojnë ambientin.

Sipas dokumenteve zyrtare të firmosura nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, investimi do të ketë ndikim pozitiv jo vetëm në ekonominë lokale të Fierit, por edhe në sektorin energjetik të vendit.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com