Home / Lajme / Rajoni / DASH: Sanksionet ndaj NIS janë shans për Serbinë për të arritur pavarësi më të madhe energjetike

DASH: Sanksionet ndaj NIS janë shans për Serbinë për të arritur pavarësi më të madhe energjetike

Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësoi se sanksionet kundër Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), të cilat hynë në fuqi dje, janë një mundësi për Serbinë që të shkëputet nga ndikimi rus dhe të arrijë pavarësi më të madhe energjetike, transmeton Portalb.mk.

“Në frymën e bashkëpunimit me Serbinë, ne e kemi shtyrë zbatimin e sanksioneve për gati nëntë muaj. Ne mbajmë kontakte të ngushta me partnerët tanë serbë për këtë çështje dhe vlerësojmë koordinimin e tyre me ne. Sanksionet drejtohen kundër Rusisë, jo kundër Serbisë. Ne e inkurajojmë Serbinë të ndërmarrë hapa drejt gjetjes së një zgjidhjeje për të marrë kontrollin e burimeve të saj kryesore të energjisë. Kjo është një mundësi për Serbinë që të arrijë pavarësi më të madhe energjetike dhe një të ardhme më të fortë ekonomike”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Shtetit për TV Nova serbe.

Theksohet gjithashtu se heqja e kontrollit rus ndaj NIS do të rrisë sigurinë energjetike të Serbisë dhe do të inkurajojë investimet dhe prosperitetin në të gjithë rajonin. Në përgjigje u theksua se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për partneritet me Serbinë për të diversifikuar sektorin e saj të energjisë – i cili, siç u tha, do të kontribuojë në forcën ekonomike të Serbisë.

“Siç tha Sekretari Rubio, ne jemi të përkushtuar për një marrëdhënie të dobishme reciproke me Serbinë që nxit rritjen ekonomike dhe u sjell dobi qytetarëve të të dy vendeve. Ne e vlerësojmë thellësisht angazhimin e ngjashëm të presidentit Vuçi1”, tha Departamenti i Shtetit në përgjigje të pyetjes në lidhje me sanksionet e SHBA-së mbi Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS).

Shteti rus ka qenë pronari kryesor i NIS që nga viti 2008. Aksionari më i madh është kompania shtetërore ruse Gazprom Neft, e cila ka 44.9 përqind të aksioneve, shteti serb zotëron 29.9 përqind, dhe pjesa tjetër është në pronësi të aksionarëve të vegjël.

Presidenti Vuçiq tha paraprakisht se sanksionet do të kishin pasoja serioze për Serbinë, duke specifikuar se pa furnizime të reja me naftë, rafineria NIS do të ishte në gjendje të operonte deri më 1 nëntor, ndërsa rezervat e karburantit do të zgjasnin deri në fund të vitit.

NIS u vendos në listën e sanksioneve më 10 janar për shkak të të ashtuquajturit “rrezik dytësor” që lidhet me pronësinë e saj shumicë ruse. Qëllimi i masave të SHBA-së është të parandalojë financimin e luftës në Ukrainë përmes të ardhurave nga kompanitë ruse të energjisë.