Ferrari ka zbuluar detajet e para për Elettrica, automjetin e saj të parë elektrik, që pritet të debutojë plotësisht në vitin 2026. Prezantuar në selinë e kompanisë në Maranello, Itali, Elettrica synon të tregojë se edhe një EV mund të ofrojë emocionin tipik të një Ferrari duke kombinuar fuqinë, precizionin dhe ndjesinë unike të ngarjes.
Makina do të ketë 4 motorë elektrikë, një për secilën rrotë, me fuqi të kombinuar mbi 1,000 kuaj-fuqi. Megjithatë, për inxhinierët e Ferrari-t, thelbi nuk është vetëm fuqia, por lëvizja në kthesa dhe balanca dinamike.
Falë kontrollit të pavarur të secilit motor, Elettrica mund të shpërndajë saktësisht fuqinë për çdo rrotë, duke maksimizuar manovrimin, ndërsa sistemi i drejtimit të pasmë aktiv lejon kontroll më të mirë të ngarkesës në kthesa.
Po ashtu, makina do të përdorë sistemin aktiv elektrik të amortizatorëve, të prezantuar më parë në Purosangue dhe F80, që lejon rregullim të menjëhershëm të lartësisë dhe fortësisë në çdo cep të automjetit.
Kjo është një kthesë historike për markën që dikur betohej se nuk do të prodhonte kurrë një EV. Sot, Ferrari synon të provojë se teknologjia elektrike mund të jetë po aq e pëlqyeshme sa një motor me benzinë, duke hapur një kapitull të ri në historinë e saj legjendare.