Energjia elektrike e prodhuar nga qymyri në vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdon të ketë një kosto të fshehtë dhe të lartë për shëndetin publik. Vetëm në Kosovë, numri i vdekjeve të parakohshme që lidhen me ndotjen e ajrit është gati tri herë më i lartë se mesatarja në Bashkimin Evropian. Situata e ngjashme vërehet edhe në vendet tjera të rajonit.
Burimet kryesore të ndotjes mbeten termocentralet e Kosovës A dhe B, të cilat kontribuojnë ndjeshëm në ndotjen e ajrit dhe ndikimet negative në shëndetin e qytetarëve.
Sipas Institutit GAP, zgjidhja qëndron në zhvillimin e qëndrueshëm, që merr parasysh jo vetëm aspektin ekonomik, por edhe atë mjedisor dhe shëndetësor.

Në kuadër të projektit “Fuqizimi i Ballkanit Perëndimor përmes Politikave Industriale të Gjelbra”, të mbështetur nga Fondacionet e Shoqërisë së Hapur, Ballkani Perëndimor (Open Society Foundations Western Balkans), Instituti GAP dhe partnerët rajonalë po organizojnë ngjarje në komunitet për të promovuar politikat industriale të gjelbra si rrugë drejt një të ardhmeje më të pastër dhe më të shëndetshme.
Në këtë kuadër, Instituti GAP ka mbajtur ngjarjen e parë me qytetarët e Vushtrrisë dhe Mitrovicës, ku u diskutua për ndikimet e ndryshimeve klimatike në rajon, përfshirë rritjen e përmbytjeve dhe sfidat që sjellin ato për komunitetet lokale.
/Motilokal.com