Home / Lajme / Rajoni / Komisioni Evropian do të mbështesë superprojektin energjetik në Tropojë

Komisioni Evropian do të mbështesë superprojektin energjetik në Tropojë

Projekti i Tropoja Wind Farm, me kapacitet 600 MW, synon të rrisë ndjeshëm prodhimin vendas të energjisë së pastër.

Në Forumin e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet të hënën në Tiranë, kompania e mirënjohur CWP Europe ka nënshkruar një Deklaratë të Përbashkët Mbështetjeje për ndërtimin e Parkut të Erës në Tropojë, një nga projektet më të mëdha të energjisë së rinovueshme në Shqipëri.

Nënshkrimi u zhvillua në prani të kryeministrit Edi Rama dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila theksoi rëndësinë e investimeve të reja në energjinë e pastër për të ulur koston e energjisë dhe për të forcuar pavarësinë energjetike të rajonit.

“Sot po nënshkruani disa investime që do ta bëjnë pikërisht këtë. Nga prodhimi i energjisë së pastër në të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor. Te ruajtja e energjisë në Mal të Zi. Ato do të ulin koston e energjisë elektrike. Dhe gjithashtu do të kontribuojnë në pavarësinë tonë kolektive energjetike. Ju po ndërtoni një shtyllë të re energjetike jo vetëm për Ballkanin Perëndimor. Por për të gjithë Evropën”, tha shefja e BE-së.

Projekti i Tropoja Wind Farm, me kapacitet 600 MW, synon të rrisë ndjeshëm prodhimin vendas të energjisë së pastër dhe të mbështesë strategjinë kombëtare të tranzicionit drejt burimeve të qëndrueshme.

Ky investim do të ndihmojë Shqipërinë të shfrytëzojë potencialin e saj të madh natyror për energjinë e erës dhe të forcojë bashkëpunimin rajonal në kuadër të transformimit të gjelbër të Ballkanit Perëndimor.

“Me Tropojën dhe Monteçevën, ne po zhbllokojmë potencialin e madh të energjisë së rinovueshme të rajonit dhe po forcojmë bashkëpunimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen e Komisionit Evropian, Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve dhe Agjencisë së Promovimit të Investimeve të Malit të Zi në avancimin e këtij vizioni të përbashkët për një të ardhme energjitike të pastër, ekonomikisht konkurruese dhe të sigurt të rajonit dhe të Evropës në tërësi”, tha Dimitar Enchev, Drejtor Ekzekutiv në CWP Europe.

Një park gjigant ere në zonën e Tropojës pritet të vendoset në qendër të strategjisë kombëtare për energjinë e gjelbër, një investim që qeveria e cilëson si “një prej më të mëdhenjve në kontinent”.

Lajmin e bëri publik më 9 shtator zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë konferencës së ambasadorëve “Diplo 2025”.

“Në muajt në vijim po përgatitemi për një nga projektet më të mëdha eolike në kontinent. Parku i erës në Tropojë, i financuar nga një prej kompanive më të mëdha amerikane, do t’i shtojë kurorës sonë energjetike një tjetër komponent të gjelbër”, deklaroi Balluku.