Home / Lajme / Mjedisi / Problemet me mjedisin dhe infrastrukturën, Shqipëria një shekull mbrapa Europës

Problemet me mjedisin dhe infrastrukturën, Shqipëria një shekull mbrapa Europës

Sipas një raporti të fundit të Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë më shumë se një shekull pas Bashkimit Europian në standardet e mjedisit dhe infrastrukturës.

Projekti Converge2EU vlerëson se, ndonëse në disa fusha si dixhitalizimi dhe shërbimet bazë janë shënuar përmirësime të lehta, në sektorët e mjedisit, energjisë dhe infrastrukturës diferenca mbetet dramatike dhe strukturale.

Raporti thekson se ndotja e ajrit, mungesa e sistemeve funksionale të riciklimit, mungesa e rrjeteve moderne të ujësjellësit dhe kanalizimeve, si dhe infrastruktura rrugore e amortizuar përbëjnë pengesat kryesore që mbajnë Shqipërinë larg standardeve europiane.

Por, përtej shifrave teknike, vëzhguesit ndërkombëtarë dhe ekspertët vendas e lidhin këtë prapambetje edhe me menaxhimin joefikas të fondeve publike dhe aferat korruptive që kanë karakterizuar projektet e mëdha infrastrukturore në dekadën e fundit.

Në shumë raste, projektet e ndërtimit të rrugëve, tuneleve apo segmenteve energjetike janë shoqëruar me kosto shumë më të larta se mesatarja rajonale, pa transparencë të plotë mbi kontratat, tenderat apo procedurat e prokurimit. Sipas analistëve, Shqipëria shpesh paguan dy deri në tre herë më shumë për kilometër rrugë krahasuar me vendet fqinje, pa një cilësi të krahasueshme të punimeve.

Në këtë kuadër, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e drejtuar prej vitesh nga Belinda Balluku, ndodhet në qendër të debatit publik për mënyrën se si menaxhohen fondet dhe prioritetet e investimeve.
Ndërkohë që Balluku shpesh e ka mbrojtur politikën e saj të investimeve si “të domosdoshme për modernizimin e vendit”, kritikat janë përqendruar në mungesën e auditimeve të pavarura, transparencës financiare dhe përdorimin e partneriteteve publike–private (PPP), që shpesh janë konsideruar si mekanizma të rrezikshëm për buxhetin e shtetit.

Ekspertët e Institutit të Vjenës rekomandojnë një strategji të qëndrueshme dhe të depolitizuar të zhvillimit infrastrukturor — me theks te energji të pastra, transport i gjelbër, menaxhim modern i mbetjeve dhe përdorim më efikas të fondeve të BE-së.
Në të kundërt, paralajmërohet se shpenzimet e fryra dhe mungesa e transparencës mund ta mbajnë Shqipërinë në një spirale të vonesave strukturore, ku integrimi europian mbetet vetëm një slogan politik dhe jo një realitet i prekshëm për qytetarët.