Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po i jep një hua deri në 10 milionë euro ProCredit Bank Albania, në kuadër të programit të ri Western Balkans Green Outcomes-Linked Debt Financing (WB GOLD), një nismë që synon të forcojë aksesin në financë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) dhe kompanitë me kapital të mesëm në Shqipëri.
Sipas marrëveshjes, të paktën 50% e fondeve do t’u dedikohen projekteve që përmbushin kriteret e Tranzicionit të Ekonomisë së Gjelbër (GET), duke mbështetur bizneset shqiptare të investojnë në efikasitet energjetik, energji të rinovueshme dhe zgjidhje të qëndrueshme për mjedisin.
Një nxitje për inovacionin dhe konkurrueshmërinë
Programi WB GOLD është një instrument inovator financimi i gjelbër që synon të rrisë konkurrueshmërinë e NVM-ve në Ballkanin Perëndimor, duke kombinuar financimin me stimuj të bazuar në rezultate. Ai inkurajon bankat pjesëmarrëse të shtojnë financimet për investime të gjelbra dhe të përmirësojnë standardet e qëndrueshmërisë mjedisore.
Ky është transaksioni i parë i WB GOLD në Shqipëri dhe i dyti në nivel rajonal, duke shënuar një hap të rëndësishëm në përfshirjen e sistemit bankar shqiptar në rrugën drejt një ekonomie me karbon të ulët dhe më rezistente ndaj ndryshimeve klimatike.
Mirsad Haliti, CEO i ProCredit Bank Albania, theksoi:
“Në ProCredit, ne e shohim programin WB GOLD si një katalizator për një epokë të re të sipërmarrjes së qëndrueshme në Shqipëri. Duke çliruar aksesin në financimin e gjelbër dhe duke shpërblyer inovacionin, ne po fuqizojmë bizneset për të udhëhequr tranzicionin drejt një ekonomie konkurruese dhe me karbon të ulët.”
Charlotte Ruhe, Drejtore Menaxhuese e BERZH për Evropën Qendrore dhe Juglindore, u shpreh:
“Jemi të lumtur të lançojmë programin WB GOLD në Shqipëri përmes këtij partneriteti me ProCredit. Ky financim do t’i ndihmojë bizneset shqiptare të investojnë në teknologji më të gjelbra dhe më efikase, duke rritur konkurrueshmërinë e tyre, ndërkohë që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.”
Partneritet i gjatë për zhvillim të qëndrueshëm
ProCredit Bank Albania, pjesë e ProCredit Holding, ka një përvojë të konsoliduar në financimin e bizneseve të vogla dhe të mesme dhe në promovimin e investimeve të gjelbra dhe efikase në energji. Banka është një partnere afatgjatë e BERZH dhe ka zbatuar me sukses disa linja krediti të dedikuara për zhvillimin e qëndrueshëm.
Që nga nisja e operacioneve në Shqipëri në vitin 1991, BERZH ka investuar mbi 2.3 miliardë euro në më shumë se 170 projekte, duke mbështetur sektorin privat, infrastrukturën e qëndrueshme dhe tranzicionin e ekonomisë së gjelbër.
Ky bashkëpunim mes BERZH dhe ProCredit shënon një tjetër hap konkret në rritjen e financimeve të gjelbra në Shqipëri, duke i dhënë NVM-ve mundësi reale për të investuar në teknologji që jo vetëm përmirësojnë efikasitetin dhe produktivitetin, por edhe mbrojnë mjedisin për brezat që vijnë. /ekofin.al