Serbia ka përgatitur një vlerësim gjithëpërfshirës të mundësive për kogjenerim me eficiencë të lartë dhe për zhvillimin e sistemeve rajonale të ngrohjes dhe ftohjes, një hap i rëndësishëm drejt përputhjes me standardet evropiane dhe përshpejtimit të kalimit të vendit drejt energjisë ripërtëritshme.
Ky studim, i mbështetur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe pjesë e Programit Rajonal të Eficiencës së Energjisë (REEP), analizon mundësitë për modernizimin e sistemeve ekzistuese të ngrohjes dhe ftohjes. Ai evidenton potencialin për integrimin e burimeve ripërtëritshme, nxehtësisë së mbetur dhe nxehtësisë së prodhuar nga kogjenerimi në rrjetet qendrore, duke ulur emetimet e gazrave serrë dhe duke rritur eficiencën e përdorimit të energjisë.
Sektori i ngrohjes përbën rreth 40% të konsumit përfundimtar të energjisë në Ballkanin Perëndimor dhe mbetet ndër më intensivët në Serbi. Rreth një e katërta e familjeve serbe përdorin ngrohje qendrore, kryesisht në qytete, shumë prej të cilave varen ende nga burime fosile. Përmirësimi i këtyre sistemeve është thelbësor jo vetëm për reduktimin e emetimeve, por edhe për uljen e varfërisë energjetike dhe përmirësimin e përballueshmërisë, pasi infrastruktura e vjetër dhe varësia nga karburantet fosile vazhdojnë të rëndojnë mbi familjet.
Ky angazhim i Serbisë shërben si shembull për rajonin, ndërsa Sekretariati i Komunitetit të Energjisë inkurajon vendet tjera të përfundojnë dhe publikojnë vlerësimet e tyre gjithëpërfshirëse. Ky proces krijon një bazë të fortë për planifikim afatgjatë dhe për investime të qëndrueshme në sektorin e ngrohjes dhe ftohjes.
Vlerësimi u zhvillua me asistencë teknike nga BERZH për Ministrinë e Minierave dhe Energjisë të Serbisë, brenda kuadrit të Dialogut Politik të REEP, duke forcuar kapacitetet institucionale dhe mundësitë për të menaxhuar një sistem energjetik më eficient dhe të qëndrueshëm.



