Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Përfundon investimi i OSSH për ndërtimin e rrjetit 20kV në Velipojë

Shqipëri: Përfundon investimi i OSSH për ndërtimin e rrjetit 20kV në Velipojë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Belinda Balluku, njoftoi përfundimin e një investimi të rëndësishëm nga operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike OSSH në zonën bregdetare të Velipojës, me synim rritjen e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike.

Projekti përfshiu vendosjen në punë të 21 kabinave të reja dhe shtrimin e 10 kilometrave linjë shpërndarëse 20kV. Në kombinim me nënstacionin e ri 110/20kV, ky investim garanton tani një furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor me energji për rreth 1,100 abonentë, si dhe për mijëra turistë që frekuentojnë çdo verë bregdetin e Velipojës.

Ky projekt është pjesë e programit më të gjerë të OSSH-së për modernizimin e infrastrukturës së shpërndarjes së energjisë në Shqipëri, me fokus të veçantë në zonat që përballen me rritje të lartë të kërkesës gjatë sezonit turistik.

Për shumë qytetarë nga Kosova, të cilët kalojnë pushimet e verës në Velipojë, ky përmirësim në rrjetin energjetik nënkupton kushte më të mira dhe një qëndrim më të rehatshëm në një nga destinacionet bregdetare që po zhvillohet me ritme të shpejta në Shqipëri.