Në Shqipëri janë hapur aplikimet për edicionin e këtij viti të Vlerësimit të OKB-së për Sipërmarrjet e Qëndrueshme (SDG Business Pioneers Award 2025), një iniciativë që vlerëson kompanitë që tregojnë përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj qëndrueshmërisë dhe që kontribuojnë konkretisht në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG-të) të Kombeve të Bashkuara.
Pas suksesit të vitit të kaluar, ku Intesa Sanpaolo Bank Albania u shpall fituese e çmimit të madh në kategorinë e Bizneseve Ndërkombëtare, falë praktikave të saj novatore për kalimin drejt energjinë së pastër, edicioni i këtij viti vendos në qendër të vëmendjes turizmin e qëndrueshëm – një sektor që lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë zhvillimin ekonomik me mbrojtjen e mjedisit, trashëgiminë kulturore dhe mirëqenien e komuniteteve lokale.
Në lidhje me çmimin e fituar në vitin 2024, Antonio Bragho, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Intesa Sanpaolo Bank Albania, është shprehur:
“Një nga praktikat më të rëndësishme të qëndrueshmërisë për të cilën jemi më krenarë në Intesa Sanpaolo Bank Albania është përkushtimi ynë për të mbështetur dhe promovuar energjinë e rinovueshme. Si partner financiar në projekte me ndikim, ne luajmë një rol aktiv në përshpejtimin e tranzicionit energjetik, duke krijuar vlera afatgjata për komunitetet dhe njerëzit, jeta e të cilëve përmirësohet drejtpërdrejt nga këto iniciativa.”
Qëllimi i këtij çmimi është të “ndërtojë një komunitet biznesesh që frymëzojnë ndryshim pozitiv për njerëzit, planetin dhe prosperitetin”. Këtë vit, vetëm kompanitë që operojnë drejtpërdrejt në sektorin e turizmit – si hotele, bujtina, resorte, agroturizme, operatorë turistikë, agjenci udhëtimesh apo menaxhues atraksionesh kulturore e kombëtare – mund të aplikojnë për këtë vlerësim prestigjioz ndërkombëtar.
Në total do të ndahen tetë çmime, të ndara në dy grupe kryesore:
– Çmimet për kompanitë, ku do të shpallet një fitues për secilën kategori sipas madhësisë (mikro, e vogël, e mesme, e madhe dhe ndërkombëtare);
– Çmimet kampion, që njohin arritjet më të spikatura në tre fusha kyçe të qëndrueshmërisë: People (Ndikimi Social), Planet (Ndikimi Mjedisor) dhe Prosperity (Ndikimi Ekonomik).
Kriteret e vlerësimit përfshijnë ndikimin social dhe mjedisor të biznesit, menaxhimin e burimeve, krijimin e vendeve të punës, inovacionin dhe rolin e kompanisë në ndërtimin e zinxhirëve të drejtë dhe të qëndrueshëm të vlerës. Në fokus do të jenë kompanitë që demonstrojnë qasje të integruar të përgjegjshme ndaj njerëzve, mjedisit dhe ekonomisë.
Programi SDG Business Pioneers është pjesë e Projektit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “Bashkëpunimi me Sipërmarrjen dhe Zgjidhjet për SDG-të”, i financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) dhe i zbatuar në Shqipëri nga UNDP, FAO, ILO dhe UNIDO. Iniciativa synon të forcojë rolin e sektorit privat në ndërtimin e një ekonomie të gjelbër, gjithëpërfshirëse dhe konkurruese, në përputhje me prioritetet kombëtare të zhvillimit dhe integrimit evropian.
Bizneset e turizmit që dëshirojnë të aplikojnë për këtë çmim mund ta bëjnë këtë deri më 31 tetor 2025, duke plotësuar formularin online në linkun zyrtar të programit.
Kjo është një mundësi e rëndësishme për t’u bërë pjesë e komunitetit të pionierëve të qëndrueshmërisë në Shqipëri – një rrjet që po rritet çdo vit dhe që synon të frymëzojë ndryshim real në mënyrën si bëhet biznes, duke ndërtuar një ekonomi që kujdeset njësoj për njerëzit dhe për planetin.
Nëse viti 2024 i dha Shqipërisë një histori suksesi me Intesa Sanpaolo Bank Albania, viti 2025 mund të sjellë një tjetër emër që do të përfaqësojë vendin në hartën e bizneseve që kontribuojnë realisht në qëndrueshmëri dhe zhvillim të përgjegjshëm.



