Një central diellor lundrues me panele të vendosura vertikalisht është vënë në funksion në Gjermani, duke u bërë projekti i parë në botë i këtij lloji në shkallë industriale.
Kompania Sinn Power, që ka zhvilluar teknologjinë, e cilëson instalimin si qendrën e parë lundruese diellore në nivel utilitar me panele vertikale.
Centrali ndodhet në liqenin artificial Jais, i krijuar nga nxjerrja e zhavorrit, në rajonin Starnberg të Bavarisë jugore. Me një kapacitet maksimal prej 1.87 megavatësh (MW), pritet të prodhojë rreth 2 gigavat-orë (GWh) energji elektrike në vit.
Teknologjia “SKipp” dhe përfitimet e saj
Sistemi, i quajtur SKipp nga Sinn Power, është projektuar për trupa ujorë artificialë më të thellë se 1.6 metra, si liqenet e zhavorrit apo gropat e nxjerrjes.
Panelet janë vendosur vertikalisht në drejtim lindje-perëndim dhe ndahen nga njëra-tjetra të paktën katër metra, për të siguruar prodhim të qëndrueshëm energjie gjatë gjithë ditës, si dhe rritje të prodhimit në mëngjes dhe mbrëmje, kur sistemet tradicionale japin më pak energji.
Çdo segment SKipp-Float mbështetet mbi një bazë të ngushtë të zhytur nën ujë, që stabilizon strukturën. Në thellësi deri në 1.6 metra, kjo bazë zë një hapësirë minimale dhe lejon lëvizje të kontrolluar nën ndikimin e erës apo ndryshimeve të nivelit të ujit.
Centrali lidhet me rrjetin elektrik përmes një kablli lundrues dhe një pike furnizimi në breg, duke mundësuar transferim të qëndrueshëm të energjisë pa dëmtuar ekosistemin e liqenit.
Ndikim pozitiv në mjedis
Sistemi SKipp-Float u inaugurua zyrtarisht më 21 gusht, në prani të kryeministrit të Bavarisë, Markus Söder, i cili e vlerësoi projektin si shembull të tranzicionit energjetik inovativ.
“Ky central i madh diellor lundrues ndjek lëvizjen e diellit dhe gjeneron energji të pastër. Është një shembull i shkëlqyer i aftësisë inxhinierike të Sinn Power dhe përshtatet në mënyrë të përkryer me Bavarinë – tokë inxhinierësh, start-up-esh dhe lidere në energjinë e rinovueshme,” – u shpreh Söder, duke shtuar se Bavaria kontribuon me 25% të kapaciteteve të reja energjetike të Gjermanisë.
Në fazën e parë të operimit, kompania Kies- und Quetschwerk Jais, që menaxhon guroret përreth liqenit, uli konsumin e energjisë nga rrjeti me rreth 60%, ndërsa pritet që kursimet të arrijnë deri në 70% pas stabilizimit të prodhimit.
Vetëm 4.65% e sipërfaqes së liqenit të shfrytëzuar
Sipas Sinn Power, centrali diellor mbulon vetëm 4.65% të sipërfaqes së liqenit, shumë më poshtë kufirit 15% të lejuar nga Ligji Federal Gjerman për Burimet Ujore.
Kompania planifikon një zgjerim prej 1.7 MW të tjerë, duke ruajtur mbulimin total nën 10% të sipërfaqes.
Në aspektin ekologjik, nuk është vërejtur asnjë ndikim negativ – përkundrazi, struktura përmirëson qarkullimin e oksigjenit dhe depërtimin e dritës në shtresat e thella të ujit, çka ka çuar në rritje të cilësisë së ujit.
Janë vërejtur follé zogjsh të rinj mbi segmentet lundruese dhe tufa peshqish që qëndrojnë rreth bazës së zhytur të platformës.
Sinn Power synon ta zgjerojë konceptin e saj të paneleve vertikale lundruese edhe në det të hapur, duke hapur rrugën për një gjeneratë të re të prodhimit të energjisë së rinovueshme detare.



