Home / Lajme / Rajoni / Shqipëria po ndriçon më shumë me energji të ripërtëritshme

Shqipëria po ndriçon më shumë me energji të ripërtëritshme

225 MW energji të ripërtëritshme në vetëm tetë muaj. Rritja më e madhe vjen nga fotovoltaikët.

Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishme drejt tranzicionit të gjelbër, duke shtuar 225.2 megavat kapacitet të ri energjie të ripërtëritshme gjatë periudhës janar-gusht 2025, sipas të dhënave të publikuara nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE).

Sipas raportit, 155.98 MW i përkasin impianteve fotovoltaike, ndërsa 69.23 MW janë shtuar nga hidrocentralet e rinj të vendit.

Këto kapacitete janë vendosur në zona të ndryshme të Shqipërisë, duke reflektuar rritjen e interesit të investitorëve privatë në sektorin e energjisë së pastër.

Në fund të vitit 2024, kapaciteti total i instaluar i prodhimit të energjisë elektrike në vend ishte 3 mijë e 213 MW, ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar u shtuan 537 MW të rinj.

Me ritmin aktual, viti 2025 pritet të ruajë një performancë të fortë në drejtim të shtimit të burimeve të qëndrueshme të energjisë.

Sipas ERE-së, 48.6 për qind e kapacitetit të instaluar i përket Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), ndërsa pjesa tjetër dominohet gjithnjë e më shumë nga projektet private në fushën e energjisë diellore.

/albanianpost.com