Mekanizmi i ri i Bashkimit Evropian për rregullimin e kufijve të karbonit (CBAM) po hyn në fazën e tij përfundimtare të zbatimit, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten ende shumë larg përmbushjes së kushteve për përjashtim. Nga 1 janari 2026, çdo eksport drejt tregut të BE-së që përfshin produkte me emetime të larta, si energjia elektrike, çeliku, çimentoja, alumini apo hidrogjeni, do t’i nënshtrohet një tarife të re që synon të reflektojë koston reale të karbonit.
Raporti më i fundit i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, “CBAM Readiness Tracker 2025”, tregon se asnjë nga vendet kontraktuese të komunitetit – përfshirë Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën dhe Moldavinë – nuk i ka përmbushur ende kriteret për përjashtim nga kjo tarifë. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski, qëllimi i mekanizmit nuk është të krijojë barriera të reja tregtare, por të inkurajojë një qasje të drejtë dhe të përbashkët drejt dekarbonizimit. “CBAM duhet të jetë një urë drejt Bashkimit Evropian, jo një pengesë,” deklaroi ai.
Të dhënat e raportit zbulojnë edhe ndikimin financiar që vendet e rajonit mund të kenë nëse mbeten pa përjashtim. Vetëm për vitin 2024, llogaritet që kostoja totale e mundshme për eksportet e energjisë elektrike në BE të arrijë rreth 1.17 miliardë euro. Serbia do të ishte më e ekspozuara, me mbi 600 milionë euro në vit, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me rreth 200 milionë, Mali i Zi me 190 milionë dhe Bosnja e Hercegovina me rreth 160 milionë euro. Shqipëria, për shkak të profilit të saj pothuajse tërësisht të rinovueshëm në prodhimin e energjisë, mbetet jashtë këtij rreziku.
Për të përfituar nga përjashtimi i parashikuar për energjinë elektrike, vendet duhet të plotësojnë disa kushte të rrepta, përfshirë krijimin e tregjeve të ndërlidhura të energjisë me BE-në, miratimin e sistemeve të çmimit të karbonit, përputhjen me direktivat evropiane për energjinë dhe mjedisin, si dhe hartimin e planeve për neutralitet klimatik deri në vitin 2050. Megjithëse disa shtete kanë shënuar përparim në integrimin e tregut të energjisë dhe në rritjen e kapaciteteve të burimeve të rinovueshme, raporti thekson se asnjë prej tyre nuk ka arritur një sistem funksional për çmimin e karbonit — kriter kyç për përjashtim.
Në rajon është vërejtur një ulje mesatare prej 11 për qind të intensitetit të karbonit në prodhimin e energjisë gjatë vitit të kaluar, ndërsa kapacitetet e reja të burimeve të rinovueshme janë rritur ndjeshëm, nga 2 në mbi 5 gigavat brenda katër vitesh. Megjithatë, kjo dinamikë pozitive mbetet e pamjaftueshme për të shmangur ndikimin e CBAM-it në tregtinë ndërkufitare të energjisë dhe produkteve industriale.
Kosova mund të përballet me vështirësi të mëdha në konkurrencë në tregun rajonal dhe atë evropian
Për Kosovën, gjetjet e raportit janë një sinjal paralajmërues. Si vend që ende mbështetet në qymyr për prodhimin e energjisë dhe që nuk ka një sistem për çmimin e karbonit, Kosova mund të përballet me vështirësi të mëdha në konkurrencë në tregun rajonal dhe atë evropian. Zbatimi i CBAM-it do të nënkuptojë që eksportet e mundshme të energjisë ose produkteve të tjera me gjurmë të lartë karboni do të bëhen më të shtrenjta, duke ulur atraktivitetin ekonomik të prodhimit vendas në raport me standardet e BE-së.
Ekspertët e energjisë në raport theksojnë se koha është shumë e kufizuar për rajonin. Për të shmangur kostot e larta dhe për të siguruar një integrim gradual, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përshpejtojnë krijimin e mekanizmave të raportimit dhe verifikimit të emetimeve, të përgatisin legjislacionin për tregun e karbonit dhe të avancojnë reformat që lidhin më ngushtë sektorin energjetik me atë evropian.
Tranzicioni drejt një ekonomie me emetime të ulëta nuk është më çështje zgjedhjeje, por domosdoshmëri. Nëse vendet e rajonit, përfshirë Kosovën, nuk arrijnë të përshtaten me standardet e reja evropiane, kostoja e vonesës do të jetë shumë më e madhe sesa ajo e transformimit.
Komuniteti i Energjisë ka 9 Palë Kontraktuese, 3 Vëzhgues. Bashkimi Evropian është Palë në Traktatin e Komunitetit të Energjisë. Çdo Shtet Anëtar i BE-së mund të marrë statusin e Pjesëmarrësit.



