Fushata kombëtare “Mbroje, Duaje, Mbaje”, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit, po vijon vizitat në shkolla të mesme në gjithë Kosovën, duke përfshirë nxënësit në punëtori edukative dhe aktivitete interaktive.
Fushata kombëtare “Mbroje, Duaje, Mbaje”, e nisur nga Fondi për Zhvillimin e Komunitetit (CDF) dhe mbështetur nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë, ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit qytetar për mbrojtjen e mjedisit dhe fuqizimin e veprimeve të përbashkëta për një mjedis më të pastër. Kjo fushatë është zhvilluar brenda kuadrit të projektit “Forcimi i Organizatave të Shoqërisë Civile për Mjedisin në Kosovë” (EECSOK) dhe është implementuar nga CDF.
Në kuadër të fushatës, janë organizuar punëtori edukative në shkolla të mesme në qytete të ndryshme të Kosovës. Në Mitrovicë, 40 nxënës të Shkollës së Mesme “Frang Bardhi” morën pjesë në një punëtori ku u diskutua mbi sfidat mjedisore lokale dhe u krijuan slogane frymëzuese si: “Më shumë gjelbërim, më shumë frymëzim” dhe “Çdo hap i vogël ka ndikim të madh për mjedisin”.
Në Gjakovë, nxënësit e Gjimnazit “Hajdar Dushi” identifikuan problemet mjedisore të qytetit të tyre dhe propozuan zgjidhje të zbatueshme, duke përfshirë pastrimet e lumit Krena, përdorimin e biçikletave, riciklimin e materialeve dhe sensibilizimin mbi plastikën. Mesazhet e krijuara përfshinë thirrje të thjeshta dhe me efekt: “Mendo për një të ardhme të pastër” dhe “Pleh për tokën, jo gaz për ajrin”.
Edhe në Pejë, nxënësit e Shkollës së Mesme “Ali Hadri” morën pjesë në sesione edukative dhe aktivitete interaktive, duke identifikuar problemet mjedisore të qytetit të tyre, si ndotja e lumenjve, pastrimi i hapësirave publike, mbrojtja nga shpyllëzimi dhe trajtimi i duhur i mbetjeve spitalore. Ata krijuan slogane motivuese që pasqyrojnë energjinë dhe përgjegjësinë e të rinjve: “Mbroje natyrën, mbroje të ardhmen” dhe “Një hap i vogël sot, një botë më e pastër nesër”.
Fushata “Mbroje, Duaje, Mbaje” po vazhdon të përfshijë nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollave të mesme në të gjithë vendin, duke sjellë një qasje praktike dhe të angazhuar për edukimin mjedisor dhe për të nxitur ndryshime reale në komunitet.



