Home / Lajme / Mjedisi / Mushkonjat gjenden për herë të parë në Islandën e ngrohur nga kriza e klimës

Mushkonjat gjenden për herë të parë në Islandën e ngrohur nga kriza e klimës

Mushkonjat janë vërejtur për herë të parë në Islandë derisa ngrohja globale po e bën vendin përherë e më të banueshëm për insektet, ka raportuar të martën gazeta “The Guardian”.

Ky vend deri para këtij muaji ishte prej vendeve të vetme në botë që nuk kishte fare popullsi mushkonjash. Vendi tjetër është Antarktiku.

Shkencëtarët kanë parashikuar qe njëfarë kohe se mushkonjat do të mund të shfaqeshin vetë në Islandë për shkak të habitateve të bollshme, si shkurret e pellgjet. Shumë specie megjithatë nuk do të mund të mbijetonin për shkak të klimës së ashpër.

Por Islanda po ngrohet, katërfish më shumë se pjesa tjetër e hemisferës veriore. Akullnajat po shkërmoqen dhe peshq të llojeve të klimave më jugore dhe më të ngrohta janë vërejtur në ujërat islandeze.

Dhe derisa planeti po ngrohet, më shumë specia mushkonjash janë gjetur në mbarë globin. Në Mbretërinë e Bashkuar, vezë të mushkonjës egjiptiane (Aedes aegypti) janë spikatur sivjet dhe mushkonja tigër aziatike (Aedes albopictus) është vërejtur në Kent. Këto janë specie pushtuese që mund të përhapin sëmundje tropikale, përfshirë virusin Zika.