Home / Lajme / Rrjeti elektrik / Ndërprerje e paplanifikuar e energjisë elektrike në QKUK, situata nën kontroll

Ndërprerje e paplanifikuar e energjisë elektrike në QKUK, situata nën kontroll

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se sot, rreth orës 11:50, ka ndodhur një ndërprerje e paplanifikuar e furnizimit me energji elektrike. Sipas të dhënave nga KEDS, shkak i ndërprerjes ishte një defekt jashtë hapësirave të QKUK-së.

Menjëherë pas ndërprerjes, gjeneratorët në të gjitha klinikat me ndjeshmëri të lartë u aktivizuan automatikisht, duke siguruar që puna dhe ofrimi i shërbimeve shëndetësore të mos ndërpriten asnjë moment.

Aktualisht, situata në QKUK është nën kontroll, dhe të gjitha shërbimet esenciale po ofrohen normalisht. Përjashtim bëjnë vetëm ambulancat specialistike, ku për shkak të mungesës së energjisë elektrike nuk funksionon sistemi elektronik, duke ndikuar në disa procese të administratës dhe regjistrimit elektronik të pacientëve.

QKUK ka bërë thirrje për mirëkuptim nga qytetarët dhe pacientët, duke theksuar se masat e menjëhershme parandaluese dhe sistemi i gjeneratorëve kanë garantuar vazhdimësinë e shërbimeve kritike shëndetësore.