Home / Lajme / Rrjeti elektrik / KEDS lë në terr disa biznese

KEDS lë në terr disa biznese

Pavarësisht që faturat e rrymës po i paguajnë më shtrenjtë se vitin e kaluar, bizneset ankohen për ndërprerje të shpeshta të furnizimit me rrymë.

Pronarë të bizneseve në vend thonë se po u shkaktohen dëme me qindra euro në ditë për shkak se rryma po u ndërpritet me dhjetëra herë. KEDS nuk është deklaruar nëse po punon për gjetjen e një zgjidhjeje për furnizim të qëndrueshëm.

Puna po u ndalet në gjysmë disa herë brenda ditës. Edhe pse faturat e rrymës po i paguajnë shumë më shtrenjtë se vitin e kaluar, disa biznese në vend ankohen se shpeshherë mbesin pa rrymë.

Për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të rrymës, pronarët e bizneseve thonë se po u shkaktohen dëme me qindra euro në ditë.

Rryma ndalet thuajse çdo ditë, pa planifikim e pa paralajmërim dhe kjo na shkakton probleme në makineri automatike. Infrastruktura e rrymës, shtyllat, janë në gjendje të rëndë. Një erë e lehtë shkakton ndërprerjen e rrymës. Nuk është bërë asnjë investim në infrastrukturë, ndonëse thirren në investime e përmirësime të saj. Ndihmë nuk kemi pas nga shteti, diçka sa i përket rrymës. Këto kushte janë bërë të papërballueshme për bizneset.

RTK ka raportuar për probleme të tilla edhe në fshatin Bresalc të Gjilanit, megjithatë KEDS nuk ka zgjidhur çështjen e furnizimit të qëndrueshëm atje.

“Rryma ndalet çdo ditë. Te fabrika e plastikës nëse 1 minutë ndalet rryma, neve na kthen deri në orë mbrapa. Çdo ndalje neve na kushton 300 deri në 500 euro”, tha Xhevdet Neziri, pronar i fabrikës për riciklim të mbetjeve të plastikës.

Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, edhe biznese tjera janë ankuar për dëme financiare për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike.

Për prishjet në Bresalc KEDS ka njoftuar se ekipet e tyre kanë intervenuar duke e rikthyer furnizimin. KEDS tash e disa ditë nuk po përgjigjet rreth ndërprerjeve të vazhdueshme dhe rreth asaj nëse po punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje për furnizim të qëndrueshëm.