Konferenca e Tretë e Komitetit Kombëtar të “CIGRE Kosovo” ka nisur punimet në Prishtinë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucionet shtetërore, si ministren në detyrë të ekonomisë, Artane Rizvanolli, operatorët energjetik KEDS dhe KEK, komunitetin akademik dhe ekspertë ndërkombëtarë të sektorit të energjisë.
Në hapje të konferencës u theksua rëndësia e tranzicionit të drejtë energjetik dhe nevoja për modernizimin e rrjetit elektrik të vendit, në përputhje me standardet evropiane. Përfaqësues të qeverisë dhe institucioneve energjetike theksuan se bashkëpunimi ndërmjet sektorit publik, privat dhe akademik mbetet faktor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të sistemit energjetik të Kosovës.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u shpreh se konferenca sjell bashkë akterë të fushave të ndryshme që ndihmojnë në zhvillimin e rrjetit energjetik më të avancuar në Kosovë.
Konferenca, e cila do të zgjasë deri më 24 tetor, përfshin prezantime shkencore dhe teknike, diskutime tematike mbi integrimin e burimeve të ripërtëritshme, si dhe ekspozita të teknologjive të reja në fushën e energjisë. Gjatë tre ditëve të punimeve pritet të paraqiten rreth 50 punime profesionale nga vendi dhe rajoni.
Ky aktivitet synon shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në zhvillimin e sistemeve elektrike moderne.



