Home / Lajme / Rajoni / Ministrja e Energjetikës në RMV: Ne paguajmë 250.000 euro çdo muaj për një terminal gazi që nuk funksionon

Ministrja e Energjetikës në RMV: Ne paguajmë 250.000 euro çdo muaj për një terminal gazi që nuk funksionon

Ne paguajmë për një vit, dhe me mënyrën se si është nënshkruar kontrata, ajo nuk mund të ndërpritet. Kontrata është nënshkruar për 15 vjet, tha ministrja e energjisë dhe minierave në Maqedoninë e Veriut, Sanja Bozhinovska.

Çdo muaj mbërrin një faturë prej 250.000 eurosh dhe Maqedonia e Veriut e paguan atë rregullisht për qiranë e kapacitetit në terminalin e gazit në Greqi, në Aleksandropolis, por terminali nuk funksionon, shtoi Ministrja. Ne kemi paguar qiranë për një vit tashmë, që kur terminali u lançua në tetor 2024, vetëm për të ndërprerë operacionet më 28 janar 2025, tha ajo tutje.

Ministrja e Energjisë Sanja Bozinovska thotë se janë angazhuar shërbime ligjore për të parë nëse ka një rrugëdalje nga kjo situatë.

-Çdo muaj paguhen 250.000 euro. Është një kontratë që është lidhur dhe për të cilën duhet të paguhet. Për momentin, po paguajmë për diçka që nuk kemi mundur ta përdorim dhe as nuk do të mund ta përdorim këtë vit. Janë angazhuar shërbime ligjore. Ne paguajmë për një vit dhe kontrata siç është nuk mund të ndërpritet. Kontrata është lidhur për 15 vjet. – tha Bozhinovska.

Me qëllim diversifikimin e furnizimeve me gaz, projekti në Greqi është shpallur si veçanërisht i rëndësishëm dhe pothuajse i gjithë komuniteti energjetik ka reaguar pozitivisht.

Terminali i gazit në Aleksandropolis është planifikuar me një tubacion gazi natyror nëndetësor dhe tokësor, i cili lidh njësinë lundruese me Sistemin Kombëtar të Transmetimit të Gazit Natyror dhe përmes të cilit gazi natyror duhet të dorëzohet jashtë Greqisë në Bullgari, Rumani, Maqedoni, Serbi, Moldavi dhe Ukrainë në lindje, si dhe në Hungari dhe Sllovaki në perëndim.

Në shkurt të këtij viti, pala greke filloi ndërtimin e interkonektorit të gazit me Maqedoninë, ndërsa nga ana jonë, ndërtimi filloi në qershor dhe sipas njoftimeve, gazsjellësi duhet të përfundojë në vitin 2027.

Në mars të vitit 2021, Maqedonia u bë zyrtarisht pjesë e projektit për ndërtimin e terminalit të gazit natyror të lëngshëm, pasi AD ESM dhe AD National Energy Resources nënshkruan memorandume bashkëpunimi me kompani nga Greqia. Qeveria e atëhershme maqedonase njoftoi se “sipas marrëveshjes, vendi ynë merr pjesë me 25 përqind në termocentralin e gazit natyror në Aleksandropolis, i cili është 800 megavat, dhe investimi i vlerësuar në këtë termocentral është më shumë se 380 milionë euro” dhe se është planifikuar gjithashtu të marrë pjesë “me 10 përqind të vlerës totale prej 370 milionë eurosh në investimin në terminalin e gazit”.