Përdorimi i thëngjillit ka arritur nivel rekord anembanë botës vjet pavarësisht përpjekjeve për të hequr dorë prej tij dhe të kalohet në energji të pastër, duke rrezikuar përpjekjet botërore për të frenuar ngrohjen globale, ka raportuar të mërkurën (22.10.2025) gazeta “The Guardian”, duke iu referuar të dhënave të një raporti me përfundime të zymta.
Hisja e thëngjillit në prodhimin e energjisë elektrike ka rënë me rritjen e përpjekjeve për energji të pastër. Por rritja e përgjithshme në kërkesën për energji nënkupton se thëngjilli vazhdon të përdoret më së shumti, tregojnë shifrat e raportit të përvitshëm të Gjendjes së Veprimit Klimatik, publikuar të mërkurën.
Raporti ka krijuar një pasqyrë të zymtë të mundësive të botës që të shmangë ndikimet gjithnjë e më të rënda nga kriza klimatike. Vendet po ngecin prapa objektivave që kanë vendosur për uljen e emetimeve të gazrave serrë, të cilat kanë vazhduar të rriten, megjithëse me ritëm më të ulët se më parë.
Clea Schumer, bashkëpunëtore shkencore në grupin e mendimit të Institutit Botëror të Burimeve, e cila njëherësh ka kryesuar hulumtimin, ka thënë: “Nuk ka dyshim se ne përgjithësisht po i bëjmë gjërat e duhura. Thjesht nuk po ecim mjaftueshëm shpejt. Një nga gjetjet më shqetësuese nga vlerësimi ynë është se për raportin e pestë në serinë tonë me radhë, përpjekjet për të hequr gradualisht dorë nga qymyri janë shumë larg të dëshirueshmes”.
Nëse bota do të arrijë emetime zero të karbonit deri në vitin 2050, në mënyrë që të kufizojë ngrohjen globale në 1.5 C mbi nivelet para-industriale, siç përcaktohet në Marrëveshjen e Klimës së Parisit, atëherë më shumë sektorë duhet të përdorin energji elektrike në vend të naftës, gazit ose lëndëve të tjera djegëse fosile.
Por kjo do të funksionojë vetëm nëse furnizimi global me energji elektrike zhvendoset në baza me emetim të ulët karboni. “Problemi është se një sistem energjie që mbështetet në lëndët djegëse fosile ka efekte të mëdha shkallëzuese dhe të padëshirueshme”, ka thënë Schumer. “Mesazhi për këtë është shumë i qartë. Ne thjesht nuk do ta kufizojmë ngrohjen në 1.5 gradë Celsius nëse përdorimi i qymyrit vazhdon të thyejë rekordet”.
Edhe pse shumica e qeverive supozohet se synojnë “ta ulin gradualisht” përdorimin e qymyrit pas zotimit të vitit 2021, disa prej tyre po vazhdojnë me përdorimin e karburantit më ndotës. Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka ngritur në qiell tejkalimin e 1 miliard ton prodhimi të qymyrit sivjet, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar mbështetjen e tij për qymyrin dhe lëndët e tjera djegëse fosile.
/kallxo.com



