Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike (ALPEX) ka shpallur hapjen e tenderit për ndërtimin e platformës elektronike të tregtimit dhe klerimit Shqipëri–Kosovë, një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të tregut të përbashkët të energjisë elektrike ndërmjet dy vendeve. Vlera e fondit limit të vënë në dispozicion për këtë projekt arrin në 300 milion lekë.
Sipas njoftimit zyrtar në Agjencinë e Prokurimit Publik, platforma e re do të jetë një sistem modern, i centralizuar dhe plotësisht transparent, që do të mundësojë ALPEX të kryejë të gjitha funksionet e saj si operator tregu për tregjet me shumicë të energjisë elektrike në dy zonat e ofertimit – Shqipëri dhe Kosovë.
Teknologji e avancuar dhe siguri e lartë
Sistemi do të bazohet në teknologji të përparuar që garanton ekzekutim të shpejtë të tregtimeve, vonesë minimale dhe anonimitet midis palëve, duke siguruar një mjedis tregtar efikas dhe të besueshëm. Platforma do të përfshijë masa të forta sigurie për integritetin e të dhënave dhe kontrollin e autorizimeve, si dhe një sistem rezervë për të garantuar vazhdimësi të plotë operimi në rast dështimi teknik.
Gjithashtu, platforma do të ofrojë mbështetje për modalitetet e tregut të bashkuar dhe atij të ndarë, për llogaritjen e rezultateve në tregun e ditës në avancë dhe tregun brenda ditës, duke e vendosur kështu bashkëpunimin energjetik Shqipëri–Kosovë në të njëjtin standard me tregjet evropiane të energjisë.
Transparencë për pjesëmarrësit në treg
Përmes kësaj platforme, agjentët tregtarë të bursës do të kenë qasje në kohë reale në të dhënat e tregut, përfshirë hapjen dhe mbylljen e portave, statusin e urdhërporosive dhe tregtimeve, si dhe historikun e aktiviteteve të tyre tregtare për një periudhë minimale prej një muaji.
Sistemi do të ndërveprojë në mënyrë të automatizuar me platformën e klerimit, duke shkëmbyer të dhëna mbi çmimet e referencës, limitet e tregtimit dhe transaksionet ndërkufitare.
Një hap i rëndësishëm për integrimin rajonal
ALPEX menaxhon tregun e organizuar me shumicë të energjisë për Shqipërinë dhe Kosovën, dhe është institucioni kyç në procesin e bashkimit të tregjeve energjetike në nivel rajonal. Vetëm në shtatë muajt e parë të këtij viti, përmes bursës u tregtuan 986 mijë MWh energji elektrike, me një vlerë transaksionesh prej rreth 116 milionë euro.
Projekti i ri i platformës elektronike pritet të rrisë efikasitetin, transparencën dhe stabilitetin e tregut të energjisë ndërmjet dy vendeve, duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin ekonomik dhe integrimin energjetik të Shqipërisë dhe Kosovës në tregun e përbashkët evropian.



