Home / Lajme / Kosova / Mbledhja rajonale nën kryesimin e Kosovës, rajoni bashkë për treg energjetik më efikas

Mbledhja rajonale nën kryesimin e Kosovës, rajoni bashkë për treg energjetik më efikas

Më 22 tetor 2025, nën udhëheqjen e Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, z. Ymer Fejzullahu, i cili është gjithashtu udhëheqës i Grupit Implementues të Projektit të Bashkimit të Tregut të Energjisë Elektrike ndërmjet Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, u mbajt takimi i radhës i këtij grupi.

Gjatë takimit u diskutuan çështjet kyçe që lidhen me bashkëpunimin teknik dhe institucional ndërmjet palëve. Anëtarët e Grupit Implementues shqyrtuan propozimin e fundit të Agjensionit të BE-së për Bashkëpunimin e Rregullatorëve (ACER) lidhur me Kalkulimin e Kapaciteteve Regjionale (CCR). Ata u pajtuan për mbështetjen ndaj Operatorëve të Sistemit të Transmisioneve (OST) në përditësimin e metodologjive CCR për zonat ofertuese të shteteve pjesëmarrëse.

Gjithashtu, u trajtuan zhvillimet më të fundit në procesin e aderimit në projektin Italian Borders Working Table (IBWT), si dhe përparimi në transpozimin e paketës së legjislacionit evropian për integrimin e tregut të energjisë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Në përfundim, anëtarët e Grupit shprehën përkushtimin e tyre për integrimin e tregjeve energjetike dhe ndërtimin e një tregu rajonal më efikas, që do të kontribuojë në rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së furnizimit me energji në rajon.