Drejtori i AKSK hedh dritë mbi garantimin e sigurisë për strukturat energjetike në vend.
Shqipëria, e cila ka përjetuar në mënyrë të vazhdueshme ndër sulmet kibernetike më të mëdha në rajon, prej vitit 2022, kur u nis sulmi i parë iranian, është sot ndër vendet më aktive në ngritjen e një sistemi të qëndrueshëm të reziliencës digjitale, duke u fokusuar në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në zhvillimin e kapaciteteve të veta profesionale.
Në një intervistë për median azere “Report”, Igli Tafa, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike (AKSK), foli mbi sfidat, mësimet dhe vizionin që ka Shqipëria për mbrojtjen digjitale të infrastrukturës energjetike, në prag të nisjes së furnizimit me gaz azerbajxhanas përmes gazsjellësit TAP në vitin 2026.
Disa çështje madhore janë trajtuar prej Tafës në intervistën me gazetën azere.
Energjia, sektori më i ndjeshëm ndaj kërcënimeve kibernetike
“TAP është një projekt strategjik që lidh Shqipërinë me Azerbajxhanin dhe kalon përmes disa vendeve. Kjo e bën të domosdoshme që siguria kibernetike të jetë pjesë e çdo faze të operimit të tij, nga nxjerrja deri te shpërndarja e gazit,” theksoi Tafa.
Sipas tij, Shqipëria po investon fort në modernizimin e sektorit energjetik përmes teknologjive operacionale (OT) dhe sistemeve SCADA, që ofrojnë efikasitet, por njëkohësisht rrisin rreziqet kibernetike.
“Ne po punojmë ngushtë me Azerbajxhanin për të garantuar mbrojtje të përbashkët të infrastrukturës energjetike. Kjo bashkëpunim do të ketë ndikim pozitiv për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, shtoi ai.
Nga sulmet masive te ndërtimi i një arkitekture të re të mbrojtjes
Pas sulmeve të vitit 2022, që paralizuan shërbime të rëndësishme publike, Shqipëria ngriti Qendrën e Analizës dhe Ndarjes së Informacionit (ISAC), që tashmë është bërthama e sistemit kombëtar të sigurisë kibernetike.
“Krijimi i ISAC-ut na lejoi të koordinonim mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe të përmirësonim reagimin ndaj incidenteve. Gjithashtu, kemi forcuar kuadrin rregullator dhe kemi bërë të detyrueshme pjesëmarrjen e ekspertëve të certifikuar në sigurinë kibernetike”, përmend Tafa.
Një tjetër prioritet është zhvillimi i kapitalit njerëzor. Sipas tij, Shqipëria ka mungesë prej rreth 400 specialistësh vetëm në 88 institucione shtetërore. Për këtë arsye, po zbatohet Strategjia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike 2025–2030, me fokus në arsim profesional, laboratorë praktikë dhe partneritete me universitetet.
Laboratori energjetik dhe bashkëpunimi me Azerbajxhanin
Një nga projektet e reja që po përgatitet është laboratori i teknologjive operacionale për energjinë, ku do të simulohen sulme kibernetike ndaj infrastrukturës energjetike për të testuar reziliencën dhe reagimin.
“Azerbajxhani ka përvojë të konsiderueshme në këtë fushë dhe ne po ndërtojmë kapacitete të reja në OT, IT dhe ICS, në mënyrë që të kemi një ekosistem të qëndrueshëm sigurie energjetike”, shtoi Tafa.
Ai theksoi se me përfshirjen e teknologjive si Inteligjenca Artificiale, blockchain dhe nanoteknologjia, nevojitet koordinim më i madh midis vendeve për të garantuar mbrojtje të përbashkët të sistemeve kritike.
“Siguria kibernetike nuk njeh kufij”
Në përfundim, Tafa theksoi se siguria kibernetike nuk mund të trajtohet brenda kufijve të një vendi të vetëm.
“Vetëm përmes bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojës dhe ngritjes së kapaciteteve njerëzore mund të ndërtojmë një hapësirë digjitale të sigurt për rajonin dhe më gjerë”, tha ai.
/Albanianpost



