Ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó tha se Hungaria ka nevojë për më shumë karburant bërthamor, duke shtuar se do të vazhdojë të blejë karburant bërthamor nga Rusia.
Hungaria do të fillojë negociatat për të blerë karburant bërthamor nga Shtetet e Bashkuara për të rritur diversitetin e furnizuesve, tha të mërkurën Ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó në një intervistë me kanalin televiziv shtetëror M1, njoftoi Reuters.
Szijjártó, i cili ndodhet në Uashington që nga e marta, tha se Hungaria ka nevojë për më shumë karburant bërthamor për të përmbushur nevojat në rritje për energji për shkak të zgjerimit të centralit të saj bërthamor, duke shtuar se do të vazhdojë të blejë karburant bërthamor edhe nga Rusia.
“Përveç marrëdhënies ekzistuese me furnizuesin rus, ne po fillojmë konsultimet për blerjen e karburantit bërthamor nga Shtetet e Bashkuara në mënyrë që të mund të mbështesim në mënyrë të sigurt rritjen e energjisë bërthamore”, tha ministri hungarez.
Sipas gazetarit që e intervistoi, ministri ishte planifikuar të takohej me përfaqësues të Departamentit të Energjisë të SHBA-së dhe prodhuesit amerikan të pajisjeve bërthamore Westinghouse më vonë të mërkurën për të diskutuar çështjen.
Szijjártó nuk dha detaje se kur Hungaria mund të fillojë të blejë karburant bërthamor nga Shtetet e Bashkuara, as se çfarë pjese të nevojave të saj do të mbulohet nga importet amerikane.
Termocentrali Paks, i vetmi termocentral bërthamor në Hungari, aktualisht ka katër reaktorë më të vegjël rusë VVER-440 me një kapacitet total prej rreth 2.000 megavatësh, të cilët tani furnizohen me karburant rus.
Hungaria planifikon të zgjasë jetëgjatësinë e reaktorëve të saj aktualë për 20 vjet të tjera, dhe po zbaton gjithashtu projektin “Paks 2”, me të cilin kompania ruse “Rosatom” po ndërton dy reaktorë të rinj me nga 1,2 gigavat secili.
Projekti Paks 2, i cili është shoqëruar me vonesa të konsiderueshme, iu dha kompanisë ruse Rosatom në vitin 2014 pa një tender publik, gjë që shpesh përmendet si provë e marrëdhënies së ngushtë midis kryeministrit Viktor Orbán dhe presidentit rus Vladimir Putin.
Vitin e kaluar, qeveria hungareze njoftoi se nga viti 2027 vendi do të blejë karburant bërthamor edhe nga kompania franceze Framatome.



