Home / Lajme / Ndërkombëtare / Von der Leyen kërkon uljen e taksave të energjisë në BE

Von der Leyen kërkon uljen e taksave të energjisë në BE

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u bëri sot thirrje vendeve të Bashkimit Evropian që të ulin taksat mbi energjinë elektrike, me synimin për të rritur konkurrueshmërinë dhe për të lehtësuar krizën e kostos së jetesës.

“Ndërsa çmimet e energjisë po bien, taksat mbi energjinë po rriten sërish”, tha von der Leyen në fjalën e saj para Parlamentit Evropian në Strasburg.

“Shikoni taksat që paguan industria jonë për energjinë elektrike. Këto taksa janë 15 herë më të larta se taksat mbi gazin, dhe kjo nuk mund të vazhdojë kështu”, u shpreh ajo.

Sipas saj, industria në  vendet e BE-së  paguan mesatarisht  34% taksa mbi energjinë, ndërsa familjet paguajnë rreth 42%.

Von der Leyen kërkoi edhe më shumë investime në energjinë e rinovueshme, duke theksuar se vendet me çmimet më të ulëta të energjisë janë ato që prodhojnë sasi të mëdha energjie të pastër , qoftë nga dielli, era, uji, gjeotermali apo energia bërthamore.

“Le të punojmë së bashku për t’i ulur këto taksa dhe t’u japim mundësi bizneseve dhe familjeve të kalojnë drejt përdorimit të energjisë së prodhuar në vend, në vend të karburanteve të importuara”, deklaroi ajo.

Fjalimi i von der Leyen vjen në prag të samitit të liderëve të BE-së, ku në qendër të diskutimeve pritet të jenë objektivi i reduktimit të emetimeve deri në vitin 2040 dhe kostot ekonomike të tranzicionit klimatik.