Home / Lajme / Kosova / ZRRE merr pjesë në takimin rajonal të rregullatorëve të energjisë – në fokus pavarësia institucionale dhe çmimet për konsumatorët familjarë

ZRRE merr pjesë në takimin rajonal të rregullatorëve të energjisë – në fokus pavarësia institucionale dhe çmimet për konsumatorët familjarë

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), z. Ymer Fejzullahu, ka përfaqësuar Kosovën në takimin e rregullt të Asociacionit Rajonal të Rregullatorëve të Energjisë (Energy Regulators Regional Association – ERRA), i cili mblodhi përfaqësues nga vendet anëtare dhe të asociuara të kësaj organizate.

Takimi, që shërben si një platformë e rëndësishme për shkëmbim përvojash dhe diskutim të zhvillimeve rregullative, u përqendrua në çështjet kyçe që prekin sektorin energjetik në rajon, me theks të veçantë te çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe pavarësia e institucioneve rregullatore.

Në diskutimet e mbajtura u theksua rëndësia e pavarësisë institucionale dhe financiare të rregullatorëve të energjisë, si një nga shtyllat themelore për funksionim të mirë dhe vendimmarrje të paanshme në tregun energjetik. Kjo pavarësi u vlerësua si kusht i domosdoshëm për të siguruar transparencë, konkurrencë të drejtë dhe një ambient rregullativ që nxit zhvillimin e tregut të hapur dhe të qëndrueshëm.

Gjatë takimit, pjesëmarrësit diskutuan edhe mbi aktivitetet e komiteteve punuese të ERRA-s, përfshirë ato për konsumatorët, energjinë elektrike, gazin dhe tranzicionin e energjisë. Këto sesione ofruan një panoramë të gjerë mbi sfidat dhe arritjet në secilin sektor, duke nxitur bashkëpunim dhe koordinim më të mirë ndërmjet vendeve pjesëmarrëse.

Në përfundim të takimit, anëtarët e ERRA-s theksuan nevojën për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet vendeve anëtare dhe të asociuara, si një parakusht për ndërtimin e një tregu energjetik rajonal transparent, konkurrues dhe të harmonizuar me praktikat më të mira evropiane dhe ndërkombëtare. ZRRE mbetet e përkushtuar të kontribuojë në këtë drejtim, duke avancuar kornizat rregullative dhe duke siguruar mbrojtje të interesave të konsumatorëve dhe zhvillim të qëndrueshëm të tregut të energjisë në Kosovë.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com