Një gjykatë franceze dënoi pjesërisht kompaninë TotalEnergies të enjten, më 23 tetor, duke konstatuar se ajo kishte kryer praktika mashtruese tregtare në mënyrën se si kishte komunikuar për “ambicien e saj për të arritur neutralitetin e karbonit” dhe “për t’u bërë një aktor kyç në tranzicionin energjetik”.
Megjithatë, gjykata hodhi poshtë akuzat e shoqatave që e kishin paditur gjigantin e naftës për “greenwashing” (shpëlarje ekologjike) lidhur me pretendimet e tij për gazin fosil dhe biokarburantet.
Gjykata e Parisit vendosi se TotalEnergies kishte bërë pretendime mjedisore që mund të ndikonin në sjelljen e konsumatorëve, duke i mashtruar ata për të besuar se kompania mund të arrinte neutralitetin e karbonit deri në vitin 2050, ndërkohë që vazhdonte të rrite prodhimin e naftës dhe gazit, sipas një deklarate gjyqësore mbi procedurat civile.
Kështu, gjykata vendosi pjesërisht në favor të OJQ-ve Greenpeace France, Les Amis de la Terre France dhe Notre Affaire à Tous, të cilat kishin ngritur padinë civile në vitin 2022.
Ky është, de facto, dënimi i parë në botë për “greenwashing” ndaj një kompanie të industrisë së naftës, për mënyrën se si ajo ka paraqitur publikisht angazhimet e saj për klimën, tha për AFP organizata ClientEarth, e cila ndjek nga afër çështjet ligjore kundër industrisë së naftës dhe gazit.
Shoqatat paditëse e cilësuan vendimin si një “pikë kthese” në luftën kundër mashtrimeve të gjelbra, duke theksuar se “kjo fitore shënon një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e konsumatorëve, mbrojtjen e klimës dhe luftën kundër praktikave të ‘greenwashing’. Është hera e parë në botë që një kompani e madhe nafte dhe gazi dënohet nga gjykatat për mashtrim të publikut përmes ‘greenwashing’-ut të imazhit të saj”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Greenpeace France, Friends of the Earth France dhe Notre Affaire à Tous.
Fushata e komunikimit në qendër të vendimit
Shoqatat kishin evidentuar rreth dyzet mesazhe nga fushata e komunikimit të TotalEnergies, e cila nisi në maj 2021 në faqen e saj të internetit, në shtyp, rrjete sociale dhe televizion.
Në atë periudhë, kompania sapo kishte ndryshuar emrin nga Total në TotalEnergies, për të nënvizuar ambicien e saj për të qenë “kompania e të gjitha energjive” – nga nafta deri te energjia elektrike nga era dhe dielli.
Grupi kishte shpallur objektivin për “neutralitet të karbonit deri në vitin 2050, së bashku me shoqërinë” dhe promovonte gazin si “energjinë fosile që lëshon më pak gazra serrë”, pavarësisht kritikave për ndikimin e metanit në ngrohjen globale.
Gjykata urdhëroi kompaninë të ndalojë përhapjen e komunikimeve mashtruese, të paguajë dëmshpërblim për dëmin moral ndaj shoqatave paditëse dhe të publikojë pjesën përkatëse të vendimit në faqen e saj zyrtare, thuhet në njoftimin për shtyp.
Megjithatë, gjykata hodhi poshtë disa pretendime të shoqatave lidhur me deklaratat e TotalEnergies për gazin dhe biokarburantet, duke vlerësuar se mesazhet e tilla nuk ishin drejtpërdrejt reklama për konsumatorët dhe nuk lidhen me promovimin apo shitjen e produkteve energjetike të kompanisë.



