Edhe pse në tregjet ndërkombëtare është shënuar një rritje e lehtë e çmimeve të derivateve të naftës, në Kosovë ato kanë mbetur stabile. Kështu vlerëson kryetari i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Fadil Berjani.
Ai ka deklaruar se në tregjet ndërkombëtare është regjistruar një rritje e lehtë e çmimeve, por një ndryshim i tillë nuk pritet të reflektohet në tregun kosovar.
“Në BERZ nuk ka pasur rënie, por një rritje të lehtë të çmimeve. Aktualisht në Kosovë çmimet e derivateve sillen afërsisht kështu: Dizel nga 1.15 deri në 1.25 €/litër, benzina nga 1.16deri në 1.26 €/litër. Nuk mund të paragjykojmë për ditët në vijim, pasi ka lëvizje në BERZH dhe në organizatën prodhuese OPEC. Sot ka pasur rritje në tregun ndërkombëtar, por në Kosovë nuk ka pasur ndryshim të çmimeve me pakicë”, ka theksuar Berjani.
Sipas tij, qytetarët e Kosovës po furnizohen me çmimet më të ulëta të derivateve në rajon.
Ai ka krahasuar çmimet aktuale në disa shtete fqinje si Shqipëria ku dizeli ka çmim rreth 1.77 € kurse benzina rreth 1.80€, apo në Serbi me dizelin rreth 1.62 € dhe benzinë 1.60€.
/Telegrafi



