Dy kullat gjigante të centralit bërthamor në qytetin bavarez Gundremmingen u shembën të shtunën në një shpërthim të kontrolluar, si pjesë e planit të Gjermanisë për të braktisur energjinë bërthamore.
Kullat, me një peshë të përbashkët prej rreth 56 mijë tonësh beton, ishin simbol i qytetit për gati 60 vjet, duke sjellë punësime dhe zhvillim ekonomik.
Pas mbylljes përfundimtare të centralit në fund të vitit 2021, mijëra banorë u mblodhën për të parë momentin historik të rrëzimit të tyre. Për arsye sigurie, bashkia ngriti një zonë të kufizuar përreth impiantit, ndërsa disa bare lokale organizuan “party” publike për të parë shembjen.
Sipas kompanisë energjetike RWE, shpërthimi u krye në tre faza: i pari për të larguar kafshët e egra, i dyti për të rrëzuar kullën e parë dhe i treti për të shkatërruar të dytën.
Sipas mediave lokale, pas shembjes, procesi i çmontimit të plotë të centralit do të vazhdojë deri në vitin 2040.



