Liberalizimi i tregut të energjisë për bizneset, që në teori duhej të sillte konkurrencë dhe përfitime afatgjata, tashmë ka hyrë në fuqi, por efektet e para po ndihen me forcë. Bizneset në Kosovë janë gjendur të pambrojtura përballë çmimeve të reja që në shumë raste janë dyfishuar, e madje edhe trefishuar krahasuar me periudhën para liberalizimit.
“Nga rreth 70 euro për megavat që paguajnë sot bizneset, çmimi mund të shkojë mbi 150 euro, ose edhe më shumë,” paralajmëron Besnik Vasolli, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Kosovaro-Gjermane. Ai kujton se ky çmim aktual nuk është real, pasi për vite me radhë është subvencionuar nga shteti, ndërsa tani bizneset po përballen me realitetin e tregut të lirë, pa ndonjë përgatitje të mirëfilltë institucionale.
Sipas Vasollit, kjo nuk është një krizë e rastësishme, por rezultat i një zinxhiri të gjatë keqvendimesh dhe mungesës së vizionit afatgjatë.
“Për më shumë se dy dekada, nuk është ndërtuar asnjë strategji e qëndrueshme për zhvillimin e sektorit të energjisë. Nuk janë krijuar kapacitete të reja prodhuese dhe nuk është ndërtuar një miks energjetik që do të siguronte pavarësinë tonë duke shfrytëzuar burimet që i kemi me bollëk: thëngjillin, erën, diellin e ujin,” thekson ai. Në vend të kësaj, shton Vasolli, “janë marrë vendime të gabuara për privatizim dhe është ndjekur një qasje e paqartë karshi së ardhmes energjetike”.
Ai kujton se Kosova duhej të kishte kaluar në tregun e lirë në kohën kur çmimet ishin më të ulëta. “Kishim mundësinë të përgatiteshim, të informonim bizneset dhe të ndërtonim një treg të sigurt me konkurrencë reale, por asgjë nga kjo nuk ndodhi në kohë.
Sot, në rastin më të mirë, kemi vetëm një kompani që ofron me çmime të larta dhe disa të tjera që përpilojnë oferta ‘me gjysmë zemre’ e presin të përfitojnë nga kjo gjendje,” thotë Vasolli.
Në anën tjetër, bizneset që për vite me radhë kanë ndërtuar modelin e tyre të kostimit mbi çmimin e subvencionuar të energjisë, tani përballen me një realitet të ri, të ashpër dhe të papërballueshëm për shumë prej tyre. Sipas Vasollit, kjo situatë rrezikon që shumë kompani të humbin konkurrencën në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm, të detyrohen të shkurtojnë staf, apo madje të mbyllen.
“Kjo nuk është një fatkeqësi natyrore, është një krizë e krijuar nga njeriu (‘man made’),” thekson ai.
“Është zier për më shumë se dy dekada dhe përbën dështim të thellë shoqëror, institucional dhe politik. Pasojat mund të prekin çdo aspekt të jetës, nga siguria ekonomike e deri te ajo sociale.” Ai shton se mjetet publike që janë përdorur për subvencionimin e çmimit të energjisë prej vitit 2017 “nuk janë para abstrakte, por mjete që do të mund të ishin përdorur për zhvillim, mbrojtje dhe mirëqenie”.
Vasolli thekson se tani është momenti për reflektim dhe veprim të guximshëm, jo vetëm për menaxhimin emergjent të krizës aktuale, por për ndërtimin e një vizioni të qartë dhe të qëndrueshëm për të ardhmen energjetike të vendit. Për këtë arsye, ai propozon krijimin e një Task Force ndërinstitucionale për energjinë, të udhëhequr nga ZRRE, ku pjesëmarrës aktivë do të ishin edhe ministritë relevante, operatorët e tregut të energjisë, odat ekonomike dhe ekspertë të pavarur të fushës.
“Kjo Task Forcë duhet të ketë mandat të qartë, me afate të shkurtra dhe objektiva të matshme, e të bazohet në transparencë dhe profesionalizëm,” thotë Vasolli.
Sipas tij, themelimi i këtij mekanizmi do të kontribuonte në ruajtjen e stabilitetit ekonomik, fuqizimin e besimit të bizneseve dhe mbështetjen e një kalimi të qëndrueshëm në tregun e lirë. “Nuk kemi luksin të heshtim,” përfundon ai. “Është koha të reflektojmë dhe të veprojmë me guxim — jo vetëm për të menaxhuar krizën, por për të ndërtuar një të ardhme energjetike të qëndrueshme për Kosovën.”



