Home / Lajme / Kosova / KEK-u fiton lëndën në Tribunalin e Arbitrazhit, KEDS-i dhe KESCO-ja i detyrohen mbi 8 milionë euro

KEK-u fiton lëndën në Tribunalin e Arbitrazhit, KEDS-i dhe KESCO-ja i detyrohen mbi 8 milionë euro

Një vendim i rëndësishëm për sektorin energjetik të Kosovës është shpallur nga Tribunali Ad Hoc i Arbitrazhit në Gjenevë, duke konfirmuar plotësisht kërkesat e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ndaj KEDS dhe KESCO. Arbitrazhi, i zhvilluar sipas Nenit 28 të Marrëveshjes për Furnizim me Shumicë (MFSh/BSA), shpalli më 24 tetor 2025 vendimin përfundimtar në rastin KEK kundër KEDS dhe KESCO (Rasti Nr. 900020-2023), duke refuzuar pretendimet mbrojtëse të palëve të paditura.

Tribunali vërtetoi se KEK ka furnizuar energjinë në përputhje të plotë me dispozitat e kontratës, ndërsa KEDS dhe KESCO nuk kanë kryer pagesat brenda afateve për periudha të caktuara midis viteve 2020–2024. Gjithashtu, Tribunali konfirmoi se interesi për pagesat e vonuara ishte i parashikuar nga MFSh/BSA dhe kërkesa e KEK-ut ishte në përputhje me detyrimet kontraktuale. Vonesat e pagesave nuk u justifikuan nga ndonjë ngjarje force majeure apo krizë energjetike, ndërsa KEK nuk ka shkelur asnjë parim të mirëbesimit apo përgjegjësisë kontraktuale.

Sipas vendimit, KEDS dhe KESCO detyrohen të paguajnë KEK-ut rreth 8.3 milionë euro për interesin e akumuluar nga pagesat e vonuara, si dhe kostot e procedurës së arbitrazhit, përfshirë shpenzimet ligjore dhe ekspertët, të cilat do të mbulohen bashkërisht nga palët e paditura. Procedura u zhvillua në përputhje me UNCITRAL Arbitration Rules (2010) dhe vendimi është i përfundimtar dhe i zbatueshëm.

Ky vendim përbën një fitore strategjike për KEK-un dhe një precedent të rëndësishëm ligjor për sektorin energjetik të Kosovës, duke forcuar pozitën kontraktuale dhe kredibilitetin institucional të ndërmarrjes.

KEK shpreh falënderime për ekipin ligjor të Squire Patton Boggs, ekspertët financiarë dhe ligjorë, si dhe Avokaturën Shtetërore të Republikës së Kosovës, për mbështetjen dhe këshillimin profesional gjatë gjithë procesit të arbitrazhit.

KEK konfirmon përkushtimin e saj ndaj zbatimit të ligjit, operimit transparent dhe menaxhimit të përgjegjshëm, duke vepruar me integritet si ndërmarrja shtyllë e sistemit energjetik dhe ekonomisë së Kosovës.