Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) dhe Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Prishtinës kanë nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi, që synon forcimin e lidhjeve ndërmjet industrisë dhe akademisë, si dhe nxitjen e zhvillimit të përbashkët profesional dhe kërkimor.
Marrëveshja u nënshkrua nga Prof. Driton Balaj, dekan i Fakultetit të Ekonomisë, dhe Rudina Heroi Puka, zëvendëskryeshefe ekzekutive e KESCO-s. Ajo pritet të krijojë mundësi të reja për studentët përmes projekteve praktike, trajnimeve dhe aktiviteteve kërkimore, që ndihmojnë lidhjen e teorisë me praktikën dhe përgatitjen më të mirë për tregun e punës.
“Përmes kësaj marrëveshjeje përfitojnë studentët, të cilët do të kenë mundësi të përfshihen në projekte reale të biznesit, të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale dhe të krijojnë lidhje me industrinë energjetike,” tha Prof. Balaj gjatë ceremonisë së nënshkrimit.
Rudina Heroi Puka theksoi angazhimin e kompanisë për të mbështetur të rinjtë.
“KESCO është gjithmonë e gatshme të bashkëpunojë me institucionet akademike për të mbështetur zhvillimin profesional të të rinjve. Përmes këtyre partneriteteve, ne synojmë të krijojmë mundësi reale që studentët e Kosovës të përfitojnë nga përvoja praktike dhe të përgatiten më mirë për tregun e punës.”
Ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm drejt afrimit të akademisë me sektorin energjetik, duke u dhënë studentëve përvoja konkrete dhe perspektivë reale për zhvillim profesional në një industri në rritje.



