Kryeministri hungarez Viktor Orban e gjen veten në një pozicion të palakmueshëm – të shtrënguar midis varësisë së tij nga nafta ruse dhe presionit nga aleati i tij në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump.
Ndërsa përgatitet për një takim kyç në Uashington javën e ardhshme, Orban po balancon midis dy forcave që ai pretendon se përbëjnë një “rrjet global që kundërshton luftën”. “Një forcë e udhëhequr nga presidenti amerikan dhe një frymë që është këtu me Atin e Shenjtë”, tha ai pasi u takua dje me Papa Leon X në Vatikan, raportoi Vatikani.
Në zemër të tensionit është presioni i ripërtërirë i SHBA-së mbi Hungarinë dhe Sllovakinë për t’i dhënë fund urgjentisht varësisë së tyre nga nafta ruse, lëvizja e fundit e Trump për të detyruar Rusinë të përfundojë luftën e saj në Ukrainë. I pyetur nëse Trump kishte shkuar shumë larg në vendosjen e sanksioneve ndaj dy prej kompanive më të mëdha të naftës në Rusi, Orbán u përgjigj shkurt: “Nga pikëpamja hungareze, po.”
Orbán e ka shfrytëzuar me mjeshtëri varësinë e madhe të vendit të tij nga energjia ruse për qëllimet e tij: si armë kundër Brukselit, një mjet për të ruajtur marrëdhënie të mira me Moskën dhe si një platformë kyçe për zgjedhjet e ardhshme në prill, ku ai po u premton votuesve “energji të lirë ruse”.
Edhe pse e paraqet veten si një zgjedhje të sigurt në një botë të pasigurt, Orban po mbetet prapa në shumicën e sondazheve, kryesisht për shkak të rritjes meteorike të udhëheqësit të opozitës Péter Magyar.
Situata është komplikuar më tej nga sulmet e përsëritura me dronë ukrainasë në tubacionin e naftës Druzhba, të cilat ndërprenë përkohësisht furnizimet për Hungarinë këtë verë. Për muaj të tërë, zyrtarë të lartë hungarezë kanë sugjeruar se lufta mund të përfundojë deri në fund të vitit, një perspektivë që dukej jorealiste derisa u përhap lajmi për një samit të planifikuar midis Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin në Budapest.
Por planet e Orbán filluan të prisheshin më 21 tetor, kur Shtëpia e Bardhë njoftoi se samiti ishte anuluar. Qeveria e tij kishte shpresuar për një skenë në të cilën kryeministri hungarez do të qëndronte përkrah Trump dhe Putin, duke u pyetur se si votuesit mund të votonin kundër një udhëheqësi kaq të suksesshëm ndërkombëtarisht. Pavarësisht anulimit, Orbán vazhdon të këmbëngulë se takimi do të zhvillohet dhe se është vetëm çështje kohe.
Çështja më e madhe që po tensionon marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Hungarisë është nafta. Hungaria madje rriti importet e saj të naftës nëpërmjet tubacionit Druzhba në vitin 2024, dhe më 23 tetor, pikërisht ndërsa Orban po u drejtohej mbështetësve të tij, SHBA-të njoftuan sanksione ndaj gjigantëve rusë të naftës Lukoil dhe Rosneft. Pjesa e naftës ruse në importet hungareze u rrit nga 64% në vitin 2020 në 80% në vitin 2024.
Qeveria hungareze argumenton se, si një vend pa dalje në det, nuk ka alternativë ndaj tubacioneve të lira tokësore. Një problem shtesë është se rafineria e saj kryesore në Szaszolombata dhe rafineria sllovake Slovnaft, të dyja në pronësi të MOL, janë projektuar për të përpunuar naftën bruto ruse Urals, e cila ka një përmbajtje më të lartë squfuri sesa nafta bruto Brent.
Megjithatë, pretendimi i Hungarisë se ndryshimi është i pamundur minohet nga shembulli i Republikës Çeke. Ky vend, gjithashtu pa dalje në det dhe me madhësi të ngjashme, investoi shumë në tubacionin e gazit Transalpin në portin italian të Triestes pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Ata përshtatën rafineritë e tyre dhe në prill 2025 njoftuan me krenari se nuk do të merrnin më asnjë pikë naftë ruse.
Ekspertët e energjisë thonë se MOL i Hungarisë po e përshtat teknologjinë e saj në heshtje, por qeverisë i mungon vullneti politik për të kaluar në tubacionin Adria nga porti kroat i Omisaljit. Ka gjithashtu mosmarrëveshje midis Janaf të Kroacisë dhe MOL mbi kapacitetin e tubacionit.
Gjatë një takimi javën e ardhshme, Trump do t’i kërkojë Orbanit të tregojë vullnetin politik për t’u shkëputur nga energjia ruse. Matt Whitaker, ambasadori i SHBA-së në NATO, i tha Fox News se Hungaria “nuk ka ndërmarrë ende asnjë hap aktiv” dhe premtoi ndihmën e SHBA-së për Hungarinë dhe Kroacinë që kjo të ndodhë.
Do të ishte një vendim i vështirë për Orbanin. Pas vitesh argumentimi se Hungaria nuk mund të mbijetonte pa naftën dhe gazin rus, një ndryshim i papritur do të thoshte humbje e besueshmërisë me votuesit. Por miku i tij i vjetër Donald Trump është i njohur për aftësitë e tij në arritjen e marrëveshjeve. Orbani së shpejti do të zbulojë se sa bindës mund të jetë presidenti amerikan.



