Sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj prodhuesit rus të naftës Rosneft kanë ringjallur diskutimet në Gjermani rreth nacionalizimit të biznesit të kompanisë atje, duke përfshirë një rafineri nga e cila Berlini varet për pjesën më të madhe të karburantit të tij, kanë bërë të ditur për Reuters dy burime në rrjedha me bisedimet.
Situata spikat rrjetin kompleks që lidh Gjermaninë me Rusinë, e cila e ka furnizuar me energji fuqinë industriale të Europës për dekada me radhë para luftës në Ukrainë.
Thesari i SHBA-së ka bërë të ditur se ka lëshuar një licencë që përjashtonte krahun gjerman të Rosneft-it nga sanksionet amerikane deri në prill 2026.
Sigurimi i përjashtimit të përhershëm mbetet opsioni i preferuar i Berlinit, por zyrtarët gjermanë po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë e sekuestrimit të operacioneve dhe shitjes së tyre te një investitor i huaj, kanë konfirmuar dy burimet.
Një zëdhënës i Ministrisë së Ekonomisë ka theksuar qeveria ka qenë në kontakt “shumë intensiv” me autoritetet amerikane, se licenca e dhënë ishte “një hap i parë” dhe se janë në bisedime për miratim të mëtejshëm të tillë edhe përtej prillit të vitit të ardhshëm.
Dega gjermane e Rosneft-it zotëron aksione kontrolluese në rafinerinë e naftës Schwedt, e cila furnizon pjesën më të madhe të karburantit të Berlinit, përfshirë aeroportin e saj, benzinë për pompat në të gjithë Gjermaninë lindore dhe përbërës kyç për industrinë lokale kimike.
Ajo gjithashtu ka aksione në rafineritë MiRo dhe Bayernoil.
Këto asete u morën nën mbikëqyrje duke i dhënë qeverisë gjermane kontrollin në vitin 2022 pas pushtimit të Ukrainës nga Moska, i cili tronditi lidhjet energjetike të Gjermanisë me Rusinë, të cilat kanë zgjatur disa dekada.
Marrëveshja e kujdestarisë rinovohet çdo gjashtë muaj, por mund të përmbyset në gjykatë sepse, me çdo rinovim, shqyrtohet baza ligjore për atë që supozohej të ishte masë e përkohshme dhe emergjente.
Deri më tani, Berlini është shmangur nga sekuestrimi i aseteve lokale të Rosneft për shkak të shqetësimeve për detyrimin për t’i paguar kompensim Moskës.
/Kallxo.com



