Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia B2 e Termocentralit “Kosova B” është rikthyer në operim pas ndërprerjes së përkohshme të prodhimit më 26 tetor, e cila kishte ndodhur si rezultat i rrjedhjeve të evidentuara në kaldajë.
Sipas njoftimit zyrtar, pas krijimit të kushteve të nevojshme për ndërhyrje, ekipet teknike të mirëmbajtjes dhe operimit janë mobilizuar menjëherë dhe kanë punuar pa ndërprerje për sanimin e defekteve. Si rezultat, të gjitha riparimet janë përfunduar me sukses dhe njësia është rikthyer në funksionim të plotë dje, rreth orës 12:00. Aktualisht, njësia B2 po operon me një kapacitet prodhimi prej rreth 290 megavatësh në orë (MWh).
KEK ka sqaruar për opinionin publik se ndaljet e tilla janë procese të zakonshme teknike për termocentralet e këtij tipi. Rrjedhjet e ujit në kaldaja – ku janë të vendosura mbi 500 kilometra gypa – janë të pashmangshme për shkak të kohëzgjatjes së përdorimit të pajisjeve, por trajtohen rregullisht nga ekipet profesionale të korporatës.
“Edhe operatorët e tjerë të sektorit energjetik në vend përballen me defekte të natyrave të ndryshme teknike, madje edhe në baza ditore, dhe këto situata nuk duhet të alarmojnë publikun,” thuhet në komunikatën e KEK-ut.
Korporata ka konsideruar të dëmshme keqinterpretimet që lidhen me ndaljen e përkohshme të njësive gjeneruese, duke theksuar se ato nuk kanë asnjë lidhje me projektin madhor të modernizimit të turbinave në Termocentralin “Kosova B”. Sipas KEK-ut, ky projekt përfaqëson një nga investimet më të mëdha dhe më të suksesshme të dekadave të fundit në korporatë.
Në përfundim, KEK ka siguruar se po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme teknike dhe operacionale për garantimin e stabilitetit të prodhimit dhe furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike për konsumatorët në vend.



